Opozita ka bllokuar punimet e seancës së komisionit të sigurisë ku pritej të ratifikohej marrëveshja me Italinë për emigrantët. Për këtë arsye kryetari i komisionit të Sigurisë, Nasip Naço deklaroi se mbledhja do të zhvillohet online.
“Ishin të pranishëm ishte dhe ministri i Brendshëm dhe i Mbrojtjes dhe përfaqësues nga Ministria e Jashtme dhe ne do të donim ta vazhdonim në këtë mënyrë dhe të merrnin vesh të gjithë shqiptarët qëndrimin e mazhorancës mbi këtë marrëveshje. Në pamundësi për të zhvilluar mbledhje jemi të detyruar në orën 12:00 do ta ndiqni online ju për të parë qëndrimin e ministrit të Brensshëm, të Mbrojtjes dhe të Jashtëm mbi këtë marrëveshje që është shumë e rëndësishme për shqiptarët”.
Veprimet e opozitës ai i quajti për protagonizëm personal që kanë humbur sensin e politikës.
“Besoj që shfaqje të kësaj natyre ku deputetë për protagonizëm personal kanë humbur sensin e politikës dhe të qenit deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Është çështje e brendshme e tyre. Është fatkeqësi e tyre e mazhorancës me këtë opozitë”.
Ndërkohë deputeti demokrat Flamur Noka theksoi se para kësaj marrëveshje duhet të respektohet kushtetuta dhe vota e lirë.
“Marrëveshja e parë që duhet të kalonte është për të respektuar Kushtetutën për të shenjtëruar votën e lirë dhe jo për ta konsideruar mall tregu, marrëveshja e tretë për të luftuar korrupsionin dhe e katërta për të luftuar krimin”, tha Noka.
Ndërkaq Partia Demokratike zyrtare dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për marrjen e emigrantëve dhe ngritjen e kampeve në Lezhë.