Ministria e Brendshme ka reaguar pas lajmit se në Greqi kanë humbur jetën 6 shqiptarë pas të shtënave me armë zjarri. Sipas saj, viktimat janë me shtetësi turke.
“Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE-së”, thuhet nga Ministria e Brendshme.
Greqia u trondit nga një ngjarje e rëndë, pasditen e së hënës, ku u raportua se pas të shtënave me armë zjarri pati 6 viktima. Dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur për larje hesapesh mes bandave kriminale, ndërsa sipas informacioneve të para nga mediat greke dyshohej se viktimat ishin shtetas shqiptarë.
Pesë prej viktimave ndodheshin brenda një automjeti me targa gjermane, ndërsa njëri u gjet jashtë tij. Ky i fundit dyshohet të ketë qenë drejtuesi i automjetit, i cili ka tentuar të hidhet në momentin e të shtënave, por nuk ia ka dalë dot.