Intervista

Pyetje:

Për politikanët shqiptarë që mbështesin dhe promovojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi dhunën gjatë protestave, a do të kenë pasoja nga Qeveria e SHBA, si për shembull vendosja në një listë të zezë apo refuzimi i vizave amerikane?

Matthew Palmer:

Nxitja e dhunës nga kushdo është një fyerje për popullin shqiptar dhe duhet dënuar nga të gjithë. E kemi bërë të qartë kundërshtinë tonë ndaj dhunës si instrument politik. Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Cilët janë politikanët shqiptarë në “listën e zezë” të SHBA, të cilëve iu janë revokuar vizat amerikane?

Matthew Palmer:

Nuk mund të flas për hollësitë e ndonjë rasti specifik vize. Megjithatë, do të nënvizoj përkushtimin e SHBA për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për të promovuar llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë. Kjo përfshin përdorimin e autoriteteve të caktuara për sanksione për vizat kur të jetë me vend.

Zoti Palmer, në shkurt 2019, ju bëtë dy telefonata, me Z. Lulzim Basha dhe Znj. Monika Kryemadhi, ku kërkuat të mos hiqnin dorë nga mandatet. Edhe në Tiranë, ju iu kërkuat të qëndronin larg dhunës në protesta. Sugjerimet tuaja miqësore janë injoruar. A është e drejtë të thuhet se opozita shqiptare e ka vendosur veten në një kurs përplasjeje të fortë me SHBA, që konsiderohet aleati ynë i madh?

Matthew Palmer:

Do të donim të shihnim qeverinë të ndërmarrë reformat e nevojshme kushtetuese për ta bërë Shqipërinë një demokraci më të fortë. Kemi punuar me të gjithë drejtuesit shqiptarë për t’i arritur këto synime të rëndësishme, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë miq dhe aleatë të mëdhenj, por ka raste kur nuk biem dakord. Dhe biem dakord të mos biem dakord. Megjithatë, presim që kur nuk biem dakord, çdo aktor politik që e quan veten apo patriot dhe ka për zemër interesat e popullit shqiptar, të demonstrojë sjellje të përgjegjshme. Kjo do të thotë fjalë të përgjegjshme dhe veprime të përgjegjshme, për të refuzuar dhunën dhe për të gjetur zgjidhje nëpërmjet institucioneve demokratike.

Veritas.com.al/