Kanë mbërritur në Rinas 121 afganët e parë. Top Channel ka mësuar se pak përpara se ata të dilnin nga avioni dhe të shkelnin në tokën shqiptare ka ngjitur shkallët ambasadorja Yuri Kim.

121 afganët e parë kanë ardhur me avion civil nga Tbilisi. Në Rinas ndodhen struktura të ushtrisë dhe ekipe shëndetësore në gatishmëri. Për të pritur 121 afganët e parë ishte ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Një pjesë e 121 afganëve kanë punuar për organizatën ‘Shoqëria e Hapur’, ndërkohë pjesa tjetër janë aktorë, anëtarë të shoqërisë civile bashkë me familjet e tyre.

Në një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se në mesin e 121 afganëve të parë që erdhën në Shqipëri janë 11 foshnja,të cilët aktualisht i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale. Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteljere në Durrës.

Njoftimi i ministrisë

Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja,të cilët aktualisht i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale. Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteljere në Durrës. Qytetarët janë pritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.

Për ngjarjen kanë reaguar kryeministri Edi Rama, ministrja Olta Xhaçka dhe ambasadorja Yuri Kim. Kryeministri Rama në një postim në Facebook shkruan se kjo ngjarja është një episod i një mikpritjeje shqiptare, që na kujton kush ishim dikur e na bën nder si vend e si popull, që krenohemi me traditën jo veç me fjalë.

Kurse ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka në një prononcim tha se çdo shqiptar duhet të ndihet krenar. Xhaçka theksoi se Shqipëria do të strehojë përkohësisht rreth 4000 afganë.

Ndërkohë ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim në një postim në Twitter shkruan se Shqipëra edhe një herë tregoi se i ofron mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë më të madhe.

Afganët që pritej të mbërrinin nga dita në ditë do të strehohen në Durrës. Në intervistat për media, kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria do të presë rreth 4000 afganë. Mësohet se afganët që mbërritën sot janë nisur nga Kabuli 2 orë pas sulmeve kamikaze. Në këto sulme mbetën të vdekur 60 persona si dhe u plagosën 140 të tjerë. Pjesë të viktimave janë edhe 13 trupa të ushtrisë amerikane.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë e sulmit kamikaz jashtë aeroportit të Kabulit, ndërkohë që për ngjarjen reagoi edhe presidenti i SHBA, Joe Biden i cili tha SHBA nuk harronin dhe ISIS ka për të paguar për këtë sulm të bërë.