Mbi 14 mijë persona janë prekur nga gripi dhe infeksionet e tjera respiratore vetëm javën e fundit. Instituti i Shëndetit Publik raporton për të rritje të sëmundshmërisë në popullatë nga bashkëqarkullimi i virozave, gripit dhe nënvarianteve të Covid-19 njëkohësisht.
Drejtoresha e këtij institucioni Eugena Tomini thotë se piku i infektimeve nga gripi dhe nëntipet e tij ende nuk është arritur. “Gripi është me disa nënvrianteve, “AH1”, i ashtuquajturi pandemik, “AH3” dhe nëntipi B”, thotë Tomini për A2 CNN. “Kjo e rëndon situatën e infeksioneve respiratore. Por nuk mund të bëhet dallimi nga vetë pacientët nëse janë me grip apo me Covid”.
Sipas ekspertëve, edhe gripi, ashtu si Covid-19, mund të shkaktojë forma të rënda dhe humbje jete, ndaj bëjnë thirrje për kujdes. “Ndërgjegjësimi është për të mos neglizhuar asnjë shenjë klinike”, thotë Tomini.
“Duhen testuar udhëtarët që vijnë nga Kina, për të ditur situatën reale”, thotë Kita Sallabanda, mjek neurokirurg shqiptar në Spanjë. “Siç e bëri Italia, që testoi një avion që erdhi nga Kina dhe dolën 50% me Covid”.
Ndryshe nga shumë vende në Europë që kanë kthyer testimet për Covid-19 ndaj udhëtarëve që vijnë nga Kina, komiteti i Ekspertëve në Shqipëri nuk ka vendosur kufizime. Ndërkohë që lëvizjet me Kinën pritet të rriten për shkaka të Vitit të ri kinez, në fillim të shkurtit.