Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nga salla e Kuvendit se sa është fondi fillestar që do të akordohet nga buxheti i shtetit për të përballuar situatën pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Kreu i qeverisë tha se buxheti angazhon një fond prej afro 20 miliardë lekësh, 13 prej të cilave janë të ardhura nga buxheti dhe 7 nga donacionet e ndryshme, duke nënvizuar faktin se ky është një alokim fillestar.

Rama ironizoi me deputetët e opozitës së re dhe mediat gjatë fjalës së tij.

“Misioni i parë nga jashtë erdhi kur ishte errësuar dhe ne kishim shpëtuar 38 persona. Kush i nxori ata? Këta me tela mikrofonash dhe me objektiva kamerash? Apo i nxori Ralfi? I nxorën njerëzit e shtetit”, u shpreh Rama.

“Duke ndjekur këto diskutime këtu, dëgjova që flitej për Japoni. Por, meqë jemi për një situatë të jashtëzakonshme, dëshiroj që të ndaj me ju nevojën për adresimin e problemeve të konstatuara, që të marrim dhe shembullin e Japonisë, Izraelit, Amerikës, ua mbyllin gojën të gjithë atyre që s’kanë ça thonë. Dhe ua mbyllin me ligj. S’u jepet mundësia lloj-lloj protagonistëve pa lidhje që të çorodisin dhe dëshpërojnë miletin. Kjo do të jetë një nga gjërat që do të adresojmë në reformën ligjore për rastet e fatkeqësive natyrore. Nuk është e mundur që përveç halleve natyrore, populli të ketë dhe këtë hall të madh, që bombardohet nga delikuentët dhe sharlatanët, që shfaqen si sizmolog, inxhinier, konstruktor, apo prokurorë. Nga ana tjetër, dëgjova Ralfin që kërkonte matrapik dhe ishte shumë i shqetësuar që në vrapin e tij për t’i ardhur në ndihmë njerëzve nuk kishte gjetur matrapik. Nuk përdoret matrapiku nën rrënoja kur ka njerëz të gjallë. Dëgjova një zonjë që fliste për buxhetin dhe nuk e kishte lexuar. Të gjitha ato fondet i kalojnë fondit të rindërtimit. Po ta kishe lexuar këtë, do ta kishe kapur. Unë e mirëkuptoj që tërmeti ka bërë të vetën dhe me ju dhe mbi fjalimet tuaja”, tha kryeministri.

“Për të ardhur tek thelbi që na ka mbledhur këtu dhe për mos t’ju harxhuar njerëzve kohë me brroçkulla. Dëshiroj që të them disa gjëra, buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë lekë, prej të cilave 13 miliardë janë lekë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 miliardë nga donacionet e ndryshme. Kjo pako e parë është alookim fillestar. Kam dëgjuar përveç këtyre klithmave për doreza, kapele, çizme, janë jehonë e konstatimeve të përcipta të përcjellja nga ekranet dhe nga portalet dhe nga vitrinat dhe që shteti paska ngelur pa lekë dhe s’paska mundësi të përballojë këtë situatë. Dëgjojeni mirë këtë dhe ta dëgjojnë mirë të gjithë; ne do ta programojmë të gjithë procesin sikur mos të marrin asnjë lekë nga bota. Kështu e kemi programin dhe kështu do ta bëjmë. Kjo që bëjmë me këtë buxhet është fillimi i këtij programi”, shtoi Rama.

Veritas.com.al/