Tensione dhe kakofoni në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, edhe pas rifillimit të seancës për shqyrtimin e propozimit francez për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ligjvënës të VMRO-DPMNE-së në opozitës përdorën sërish vuvuzelat për të penguar fjalimet e deputetëve të partive në pushtet, duke krijuar kaos dhe përsëritur kështu skenat e një dite më parë. Gjithashtu ata protestuan kundër propozimit francez me disa pankarta me mbishkrimet “tradhtarë” dhe “thuaj jo”.

Në seancën e fundit plenare përpara pushimeve, fjalën e kanë kërkuar 37 deputetë në të dyja kahet politike, gjë e cila do të vonojë procedurën e votimit për propozimin francez. Përkundër vonesave, qeveria pritet ta miratojë atë pasi ka mbështetjen e të paktën 70 deputetëve nga 120 që janë gjithsej.

 Kjo mundëson hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, jo vetëm për Shkupin por edhe për Shqipërinë. Sakaq VMRO-DPMNE paralajmëroi kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, se do të futet në burg për tradhtinë që po I bën Maqedonisë së Veriut. “Tradhtari Kovaçevski është gati të sakrifikojë gjuhën, historinë dhe identitetin tonë”, shkruhet në një deklaratë. Ndërkohë, vijojnë sërish protestat jashtë godinës së kuvendit, edhe pse pjesëmarrja është tepër të vogël.