Partia Demokratike mbledh këtë të shtunë, organin më të lartë vendimmarrës të saj, Kuvendin Kombëtar. Çelja e Kuvendit u bë në orën 11:00, me 1 minutë heshtje për viktimat COVID në vendin tonë. Pas kësaj kreu i PD mori fjalën me mesazhin e tij politik, duke e përqendruar në atë që ai e quan “masakra elektorale e 25 prillit”. Basha e tha hapur se nuk do ta njohë kurrë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Teksa i bëri ftesë edhe kundërshtarëve brenda partisë, por edhe eksponentëve të ndryshëm të PS që të ‘luftojmë modelin Rama’ siç tha ai, kreu i PD-së Basha pati edhe një mesazh për ata kundërshtarë brenda partisë që e kanë sulmuar hapur.

‘Kurrë më nuk do ta kthej  faqen tjetër ndaj atyre që sakrificat e demorkatëve i hedhin për interesa personale dhe të përkohshme. Këtë bashkim zemrash ta drejtojmë kundër armikut të vetëm që kemi dhe ka Shqipëria, regjimit Rama-Doshi”, tha ai.

Pas fjalës së Bashës ka filluar diskutimi i ndryshimeve statutore. 5703 delegatët e mbërritur në Pallatin e Kongreseve nga 7000 që ishte njoftuar miratuan të gjityha ndryshimet e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Dhe më pas kanë filluar fjalët e drejtuesve politikë të PD.

Analiza e bërë për zgjedhjet e 25 prillit nuk do të jetë vetëm kryefjalë e fjalimeve politike, por raporti përmbledhës i saj me 13 përfundime, që kryesia blu kaloi mes debatesh të enjten, do t’i paraqitet për votim Kuvendit.

Kjo analizë do të jetë edhe baza mbi të cilën PD do të orientohet lidhur me vijën politike që do të mbajë, por edhe se ku do të përqendrojë energjitë e saj në 4 vitet e ardhshme opozitare.

Kryetarët dhe sekretarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e atyre seksioneve, të grupseksioneve, Anëtarët e kryesive të degëve, anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të degëve, anëtarët e Këshillit Kombëtar aktual, deputetët, Sekretarët funksionalë, koordinatorët, ish kryetarët e Bashkive dhe përfaqësuesit e FRPD e LDG që përbëjnë këtë organ, do të votojnë përgjatë ditës së sotme mes 600 kandidaturash të propozuara nga Lulzim Basha, për Këshillin e ri Kombëtar 300 prej tyre, deri në orën 18:00 ndërsa pas mbylljes së votimit, kutitë do të transferohen në selinë blu, ku pas numërimit, të dielën do të mësohet edhe se cilët do të jenë anëtarët e Këshillit të ri.

Sot po ashtu, 11 propozimet e Kreut të PD, Lulzim Bashës për ndryshime në statut pritet të marrin pëlqimin në bllok të mijëra demokratëve të cilët e rikonfirmuan përt’i drejtuar për herë të tretë. Basha mes të tjerash ka propozuar zgjerim të kryesisë, shtim të sekretariateve, kalimin e kompetencës për të vendosur mbi marrëveshjet politike dhe koalicionet nga Kryesia te Këshilli Kombëtar, teksa ka kërkuar të sanksionohet në statut edhe ngritja e një strukture të re vendore Këshilli Koordinues i Qarkut, i drejtuar nga Drejtuesit Politikë dhe që do të funksionojë me mandat të plotë.

Ndonëse një ditë e rëndësishme për demokratët, mbledhja e Kuvendit Kombëtar nuk do të shënojë fundit e zhvillimeve të verës në PD, pasi brenda korrikut Basha pritet të riformatojë edhe ekipin drejtues.

Dy ditë më parë Partia Demokratike publikoi listën me 600 kandidatë për Këshillin Kombëtar. Në këtë listë bën pjesë edhe Bujar Nishani, një nga kritikët më të fortë të Lulzim Bashës, por kjo jo për shkak të zemërgjerësisë së Bashës, por sepse sipas rregullores së brendshme të partisë, ish-presidentët nuk kalojnë për votim. Mes tyre bën pjesë dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Gjithashtu përjashtohen nga votimi në Kuvendin e partisë edhe deputetët, duke “shpëtuar” kështu edhe Agron Shehajn i cili sfidoi Lulzim Bashën në garën për kreun e PD-së, dhe përdori një gjuhë jo pak të ashpër kundër tij. Pjesë e listës është edhe ish-kryebashkiaku i PD-së në Pogradec, Eduart Kapri i hetuar nga SPAK, dosja e të cilit u dërgua për gjykim në GJKKO për 2 akuzat “Tentativa për pengimin e zgjedhjeve lokale të 2019” dhe “abuzimi me tenderin e druve”. Në listë kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së janë disa emra të njohur si moderatorja Oriela Nebiaj, e cila nuk arriti që të hynte në parlament ndonëse mori më shumë vota se ish-kryeministri Sali Berisha, djali i Sokol Olldashit, Glauk Olldashi, regjisori Robert Budina, ish-lojtari i kombëtares Andi Lila, por edhe të rikthyerit Gazment Oketa dhe edhe deputetja Fatjona Dhimitri, një nga deputetet e opozitës së re.