Mazhoranca parlamentare dhe opozita janë përplasur në lidhje me vendimin pë rmbylljen e kolegjit turk ‘Mehmet Akif’. Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se vendimi është marrë pasi kanë shitur godinën ku kishin lejen e aktivitetit shkollor dhe kanë hapur aktivitetin pa marrë lejen sipas ligjit.
Duke iu referuar spekulimeve se lidhet me kërkesën e Erdogan, Rama i cilëson si teori konspiracioni dhe thotë se publiku bombardohet me lajme të rreme. Sipas Ramës, po përdoren fëmijët për të fshehur fajin karshi ligjit.
Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar transparencë në lidhje me vendimin për të mbyllur shkollën, ndërsa kanë treguar se në vitet e fundit ky institucion ishte shpallur edhe ndër 10 më të mirët.
Mbylljen e “Mehmet Akif” e dënoi edhe Rithemelimi, që përmes deputetes Albana Vokshi, e quajti një sulm të Edi Ramës për interesat e presidentit turk Erdogan.
Ndërsa deputeti i PD-së Dashnor Sula kërkon transparencë për vendimin e qeverisë, ndërsa thotë se ky kolegj rezulton tek 10 institucionet më të mira arsimore në Shqipëri. Sipas Sulës nuk ka pasur asnjë raportim për shkelje të ligjeve vendase.
Nxënësit e kolegjit turk Mehmet Akif kundërshtuan me protestë vendimin e qeverisë për heqjen e licencës me argumentin se godina e re në Mëzes nisi mësimin pa u certifikuar nga ministria.
Drejtori turk i kolegjik hodhi dyshime se kjo bëhet për shkak të kërkesave të përsëritura nga Erdogan, ndërsa ministria e Arsimit i mohoi këto aludime duke marrë përsipër edhe tranferimin e nxënësve në shkolla të tjera.