Më 25 mars, ditë kur edhe do të mbahet mbledhja tjetër e kryesisë, Partia Socialiste do të zyrtarizojë kandidatët për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 14 maj. Kështu bëjnë me dije burime për Report Tv nga mbledhja e kryesisë që u mbajt mëngjesin e sotëm në selinë rozë, e cila zgjati për rreth 1 orë dhe kishte në fokus të diskutimit kandidatët dhe procesin e ardhshëm zgjedhor.

Duke i konsideruar kundërshtarët si të padenjë, kryesocialisti Edi Rama në fjalën e tij pas përfundimit të mbledhjes, u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet vendore, ndërsa theksoi se politika e ‘gërr-gërrit’ është një politikë që duhet t’ja lëmë të shkuarës. Për kryeministrin Edi Rama, prioritet janë qytetarët dhe sfidat me të cilat duhet të përballemi me to.

‘Mendoj se do fitojmë shumë bindshëm, por për hir të së vërtetës dua të jem i drejtpërdrejtë me ju, fitorja kur ke përballë kundërshtarë të tillë në aspektin aritmetike është minimumi. Duhet të shkojmë përtej fitores aritmetike, të hysh në fushë me kundërshtarë që nuk janë në lartësinë e duhur dhe janë edhe të padenjë për të qenë në fushë, nuk është e vështirë. Çështja është të shkosh përtej, shifrave. Nuk ka fitore që fitohet lehtë, por gjërat nuk janë aq të vështira, por kur duhet të merresh me paga, me investime me ecurinë e shumë gjerave të tjera. Kjo është sfida me të cilat duhet të përqendrohemi. Politikën e ‘Gërr- Gërrit’ duhet tja lëmë të shkuarës.’- tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se shumica e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit janë përzgjedhur.

‘Pak a shumë po. Aty ku faktikisht ka pasur dakordësi dhe ka pasur sinkronizim rreth kandidatëve të caktuar që janë aktualisht kryetarë bashkie, ka vazhduar natyrshëm procesi.’- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se në fokus të qeverisë mbetet rritja e pagave. Sa i takon vendimit të apelit për PD-në, dhe akuzat që u pasuan nga Berisha për të, kreu i qeverisë e cilësoi si politikë ‘gërr-gërresh’ dhe se është e udhës të merren me tema që kanë rëndësi. Më 15 mars është afati i fundit në KQZ për regjistrimin e aleancave dhe 27 mars kandidatëve për këshilla dhe kryetarë bashkish.