Bandat kriminale, në luftë për të okupuar territore ose edhe zona me bimë narkotike, shkaktojnë krime horror shpesh në Meksikë, sipas studiuesve të krimit penal në vend.

Ajo që ndodhi me 25 dhjetor, ditën Krishtlindjeve, ishte e tmerrshme:

Banorët e një qyteti të vogël në Meksikën qendrore u zgjuan duke gjetur 6 koka të prera të lëna në mes të rrugës.

Mediat lokale bëjnë të ditur se, pranë kokave autoritetet gjetën një mesazh të shkruar në një copë kartoni, por nuk e publikuan përmbajtjen e mesazhit. Sipas burimeve mediatike, 6 kokat, të cilat u përkisnin burrave të rinj në moshë, u gjetën në Hikulipan, një qytet me rreth 50 mijë banorë, në shtetin e Mikoaçanit.

“Sipas të dhënave paraprake, ngjarja është pasojë e një lufte për territor mes bandave kriminale”, thanë autoritetet për mediat. Niveli i sigurisë nëpër qytet u përforcua dhe policia ka ngritur postblloqe dhe vënë në lëvizje patrulla të shumta për të shmangur një kundërpërgjigje nga banda rivale.

/Veritas.com.al/