Kryeministrja Italiane Giorgia Meloni ka sulmuar televizionin italian publik, RAI 3, duke thënë se dokumentari kritik ndaj Shqipërisë është një shtrembërim, që ka pasur si shënjestër vetë Melonin.
Në një dalje publike, me zë dhe figurë, Meloni i del qartazi dhe fuqishëm në mbrojtje të Shqipërisë dhe kryeministrit Rama.
“Ne bëmë një marrëveshje të hapur me Edi Ramën, kryeministrin socialist të Shqipërisë, për të hapur dy qendra për emigrantet në Shqipëri, për të lehtësuar kështu presionin në brigjet tona nga emigrantët që mbërrijnë në Europë. Por e majta propozoi ta përjashtonte Edi Ramën nga socialistët evropianë, sepse guxoi të ndihmojë duke u vënë në dispozicion të qeverisë së qendrës së djathte për të ndihmuar Italinë”, tha ajo.
Kryeministra italiane i kërkon ndjesë homologut të saj Rama, që u përfshi në këto sulme vetëm se ndihmoi Italinë me emigrantët.
“Në vend që ta falënderonin për reagimin në emër të solidaritetit, e kanë linçuar. Për me tepër TV publik italian, Tele-Meloni, bëri një raportim për Shqipërinë, në të cilin ky vend portretizohej si narkoshtet. Atëherë, ju lutem, më ndihmoni për t’i përcjellë Edi Ramës dhe gjithë popullit shqiptar, solidaritetin tonë pasi u linçua vetëm pse tentoi të ndihmonte kombin tonë”, shtoi Meloni.
Vetë kryeministri Rama ka dhënë disa intervista në median italiane për këtë çështje, duke përgënjeshtruar të dhënat e dokumentarit, por pati deklaruar se nuk e kishte telefonuar Melonin për këtë çështje.