Në fshatin Zhulat të Memalijt, janë grabitur 12 banesa brenda një natë, gjë që, sipas banorëve, nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Gazetari i ABC News, Elidon Berberi raporton se banorët nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë, teksa grabitësit kanë grabitur jo vetëm para dhe bizhuteri, por edhe produkte ushqimore.

“Është e habitshme se si janë grabitur 12 banesa në një natë të vetme dhe që banorët të mos kenë dëgjuar asnjë zhurmë. Kemi pyetur banorët në Zhulaj. Në pjesën e disa shtëpive ka pasur banorë që jetojnë në këto banesa, kryesisht janë të moshuar. Këta të moshuar nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë. Thonë që të paktën nuk kanë pasur konfrontim fizik me ta.

Fshati Zhulat, kryesisht i ka të ardhurat nga emigracioni dhe nga bujqësia. Kanë qenë orët e para të mëngjesit, kur kanë dalë të merren me bujqësi dhe kur janë kthyer, janë kosntatuar vjedhjet. Banorët shprehen se në disa banesa janë grabitur vlera monetare, bizhuteri me vlera të larta. Kanë arritur të marrin edhe produkte ushqimore, është e habitshme. Është konfirmuar nga policia, sipas burimeve të mia, që janë lënë disa shenja nga autorët. Urojmë që të kemi zbardhje të menjëhershme të kësaj situate”, raportoi gazetari Berberi.

Ndërkaq, disa nga banorët janë shprehur të frikësuar dhe kërkojnë zbardhjen e ngjarjes.

“Janë hapur 12 banesa. Asnjëherë tjetër, vetëm këtë radhë. Na kanë tmerruar.

“Më kanë marrë portofolin e 700 mijë lekë.

“Kanë marrë bidona me vaj, fasule. Çfarë mund tu them unë? Aq e tensionuar jam. Të ruajmë shtëpinë ne?”

“Të na mbrojë shteti se jemi pleq, do na vrasin brenda. Ku do shkojmë? Fëmijët i kemi të ikur. Këtu, ne nuk na shikon njeri.”