Presidenti rus Vladimir Putin gëzon besimin më të madh nga qytetarët e Serbisë mes liderëve të huaj.

Kështu tregojnë të dhënat e një studimi të fundit të kryer nga e përditshmja e Beogradit, Politika në bashkëpunim me agjencinë e hulumtimeve, Faktor Plus.

Putin ka fituar garën ndaj gjashtë liderëve të tjerë botëror, në një sondazh të bërë në mes të datave 9-13 mars, para zgjedhjeve presidenciale në Rusi që pritet të mbahen më 18 mars.

Siç shkruan gazeta ‘Politika’ e Beeogradit, kur qytetarët u pyetën cilit lider botëror i besojnë më shumë, 58 për qind e tyre u përgjigjën në favor të Putinit.

Sipas sondazhit, Putin ka lënë prapa Kancelaren gjermane, Angela Merkel (42%), Presidentin kinez Xi Jinping (34%), Presidentin amerikan, Donald Trump (22%), Kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, dhe Presidentin francez, Emanuel Macron, (dy të fundit kanë nga 14 për qind të përkrahjes), kurse presidenti i Turqisë, Tayip Erdogan mori besimin e vetëm 7 për qind të serbëve.

Mbështetja për Putin në Rusi ka mbetur e lartë për një kohë mjaft të gjatë, pavarësisht se çfarë metoda të hulumtimit janë përdorur.

Veritas.com.a/