Koment/

-Meta dekreton Xhaferllarin, parlamenti njeh Vorpsin-

Me t’u kthyer nga samiti i Paqes në Paris, Ilir Meta e ndezi më shumë konfliktin e nisur pak ditë më parë me maxhorancën për Gjykatën Kushtetuese.

Sapo zbriti në aeroport ai dekretoi Marsida Xhaferllarin, anëtare të kësaj gjykate, si emërimin e dytë që ‘i takon Presidentit’, nga lista me katër propozime që i bëri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Por në të njëjtin post, të hënën parlamenti quajti të emëruar Arta Vorpsin, vendim qw u përshëndet edhe nga aleatët perëndimor Amerika, BE dhe Gjermani.

Vorpsi u rendit e para në listën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi presidentit dhe parlamentit.

Presidenti nuk zgjodhi, pasi argumentoi se kishte zgjedhur më parë Besnik Muçin si anëtar dhe për këtë arsye radha i takonte parlamentit të vendoste për anëtarin që i takon legjislativit.

Afati kushtetues 30 ditor nga dërgimi i listës nga KED i skadoi kreut të shtetit më 8 Nëntor dhe Arta Vorpsi u quajt e emëruar automatikisht. Emri i saj u publikua e para në Fletoren Zyrtare.

Presidenti nuk e njeh këtë procedure për shkak se thotë se zgjedhjet bëhen me radhë mes Presidencës, Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë. Por në dekretimin e Xhaferllarit, ai e pranon zgjedhjen e dy kandidatëve njëherazi nga parlamenti.

“Pasi vlerësova kandidatët e ngelur në garë për plotësimin e kësaj vakance, pas zgjedhjes nga Kuvendi në datën 11.11.2019, të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim vendosa të dekretoj:  Zonja Marsida Xhaferllari emërohet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese”.

Tani, për të njëjtin vend, Gjykata Kushtetuese ka dy anëtarë. Vorpsi apo Xhaferllari përbëjnë anëtarin e pestë, të nevojshëm që Kushtetuesja të nisë nga puna.

Për të nisur detyrën të gjithë anëtarët e zgjedhur rishtas do të duhet të betohen para presidentit. Dhe siç kuptohet nga dekretimi i Xhaferllarit, presidenti do të ftojë atë të bëjë betimin dhe jo Vorpsin.

Maxhoranca pritet të bëjë lëvizjet e saj përballë situatës së re që krijoi ky dekret i Presidentit. Sinjalin e parë e dha nëpërmjet Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin, që e quajti të paligjshëm dekretin.

Ajo reagoi duke thënë se Ilir Meta iu kundërvu edhe njëherë Reformës në Drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste.

VERITAS.COM.AL/