Miliona amerikanë do t’u drejtohen sot kutive të votimit. SHBA mban zgjedhjet afatmesme, për të vendosur se kush do ta kontrollojë Kongresin: republikanët apo demokratët.
E gjithë Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, rreth një e treta e Senatit dhe qeveritë kryesore të shteteve janë në pritje.
Votohet për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 435, si dhe për 35 nga 100 vendet në Senat. Mbi 42 milionë persona kanë votuar tashmë nëpërmjet votimit të hershëm. Disa analistë sugjerojnë se numri i përgjithshëm i votuesve do t’ia kalojë totalit prej 115 milionësh që pati në zgjedhjet e mes mandatit të vitit 2018.
Demokratët kanë aktualisht një shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit, por anketimet parazgjedhore tregojnë se republikanët ka gjasa të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat, një rezultat ky që në të kaluarën ka sjellë ngërç të zgjatur politik, me njërën palë që ka kontrollin e Kongresit, ose të paktën njërën prej dhomave të tij, dhe me palën tjetër që ka Shtëpinë e Bardhë.
Një firmë kryesore e anketimeve në Shtetet e Bashkuara, fivethirtyeight.com, u jep tashmë republikanëve 55% shans për të marrë Senatin dhe 83% gjasa për të marrë Dhomën e Përfaqësuesve nga demokratët. Ajo parashikon se republikanët do të fitojnë 13 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, pra me një shumicë 225 me 210, dhe një vend në Senat, duke krijuar një shumicë 51 me 49, në fuqi nga janari 2023 me Kongresin e ri.
Një tjetër firmë anketimesh, RealClearPolitics.com, i jep edhe më shumë avantazh republikanëve, duke parashikuar se do të fitojnë tre vende në Senat, si dhe nga 14 deri në 48 në Dhomën e Përfaqësuesve.
Duke parashikuar një fitore të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, drejtuesi i republikanëve Kevin McCarthy, kandidat kryesor për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në rast se republikanët marrin shumicën, ka premtuar se do të kërkojë ulje të shpenzimeve në programet e qeverisë të favorizuara nga Presidenti Biden.
Ai i tha CNN se ligjvënësit republikanë do të shqyrtojnë më nga afër ndihmën financiare dhe në armatime që Shtetet e Bashkuara i japin Ukrainës për të luftuar sulmin e Rusisë, që ka hyrë tashmë në muajin e nëntë.
Që nga fillimi i luftës, Presidenti Biden, mes debateve në Kongres, ka dërguar në Ukrainë më shumë se 27 miliardë dollarë në municione dhe ndihma humanitare. Por zoti McCarthy tha se republikanët nuk janë të gatshëm të financojnë një “çek bosh” të vazhdueshëm pa një analizë të mëtejshme se çfarë i nevojitet më shumë Ukrainës.
Ligjvënësit e tjerë republikanë kanë premtuar të nisin hetime për punën e administratës së Presidentit Biden gjatë dy viteve të para të mandatit të tij, në veçanti për fluksin e vazhdueshëm të mijëra emigrantëve pa dokumenta përgjatë kufirit jugor me Meksikën që Presidenti Biden, ashtu si ish-Presidenti Donald Trump, nuk ka mundur t’i ndalë.
Disa ligjvënës republikanë po bëjnë thirrje për seanca dëgjimore mbi aktivitetet e biznesit të kryera nga djali i presidentit, Hunter Biden, në Ukrainë dhe në Kinë. Prokurorët amerikanë tashmë kanë kryer një hetim mbi operacionet e biznesit të Hunter Biden-it, por nuk kanë ngritur asnjë akuzë.
Ndërkohë demokratët, që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi Kongresin, kanë akuzuar republikanët se planifikojnë të shkurtojnë programet popullore të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve për amerikanët e moshuar nëse marrin kontrollin e Kongresit, apo se ato do t’i nënshtrohen rishikimeve të rregullta buxhetore çdo pesë vjet.
Si Presidenti Biden ashtu edhe ish-Presidenti Trump kanë bërë fushatë javët e fundit për kandidatët demokratë dhe republikanë. Ish-Presidenti Trump, i cili humbi në vitin 2020, ende pretendon pa evidencë për manipulime dhe parregullsi në numërimin e votave.
Presidenti Biden gjithashtu ka thënë se synon të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale pas dy vitesh, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Të dyja partitë po planifikojnë monitorim të gjerë të votimeve për ndonjë parregullsi të mundshme, megjithëse evidenca aktuale për manipulime gjatë zgjedhjeve amerikane është mikroskopike.