Presidenti rus, Vladimir Putin, mbërriti të martën pa asnjë problem në Mongoli, në vizitën e tij të parë në një shtet anëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila ka lëshuar një urdhërarresti ndaj tij.
Putin jo vetëm që nuk u arrestua, por u prit me një ceremoni zyrtare shtetërore nga lideri i vendit aziatik në kryeqytetin Ulaanbaatar.
Putin kërkohet nga gjykata pasi akuzohet se ka deportuar në mënyrë të paligjshme fëmijë ukrainas. Një zëdhënës i Kremlinit tha se ai nuk kishte asnjë shqetësim se mund të arrestohej gjatë vizitës, raporton A2 CNN.
Në Sheshin Xhenxhis Khan, Putin u përshëndet nga ushtarë mbi kuaj dhe marshe ushtarake, ndërsa u mirëprit nga Presidenti Ukhnaagiin Khürelsükh.
Të hënën pasdite një grup i vogël protestuesish u mblodhën në shesh duke mbajtur në duar parulla me mbishkrimin “Krimineli i luftës Putin, larg nga këtu”. Një tjetër protestë është planifikuar për të martën pranë Monumentit të të Përndjekurve Politikë, që përkujton personat që vuajtën nga regjimi komunist në Mongoli, i cili mbahej në këmbë nga mbështetja e Bashkimit Sovjetik.
Para vizitës, Ukraina i kishte bërë thirrje Mongolisë të arrestonte Putinin, por kjo nuk ndodhi. Zyrtarisht, Mongolia nuk i është përgjigjur kërkesës së gjykatës për arrestimin e presidentit rus.
Mongolia ka qenë një shtet satelit i ish-Bashkimit Sovjetik dhe ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë që prej rënies së komunizmit, ndërsa nuk e ka dënuar pushtimin e Ukrainës.
Mongolia varet nga Rusia për furnizimin me gaz dhe energji elektrike. Të dy shtetet janë në bisedime për ndërtimin e një tubacioni që do të transportojë 50 miliardë metra kub gaz nga Rusia në Kinë, përmes Mongolisë. Projekti është pjesë e strategjisë së Putinit për të kompensuar rënien e shitjeve të gazit në Perëndim, pas bojkotimit nga shtetet europiane për shkak të pushtimit të Ukrainës. (A2 Televizion)