Një kopje e monumentit te Gjergj Kastriotit Skënderbeu do të vendoset në Paris.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama këtë të diel përmes një postimi në rrjete sociale, duke iu përgjigjur aludimeve të vazhdueshme për mbulimin e monumentit të heroit kombëtar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Rama thotë se monumenti është mbuluar pasi po merren përmasat për realizimin e një kopjeje të tij, që do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris. Sipas kreut të qeverisë, kjo është arritur pas një përpjekjeje të gjatë diplomatike me autoritetet franceze, e cila rezultoi e suksesshme.

Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit.

Arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.

Po po, e lexuat mirë, pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.

Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër”, shkruan kryeministri.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *