Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një paralajmërim të zymtë sa i përket krizës energjetike në vend, pasi ka thënë gjatë samitit rajonal Open Balkan se shtatë muaj shumë të vështirë e presin Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë, në sektorin e energjisë.
Për këtë arsye, ai ka theksuar se ndihma e Bashkimit Evropian do të jetë e domosdoshme për të përballuar situatën dhe thirrje i ka bërë këtyre të fundit, që të veprojnë me fonde për rajonin.
Mbi të gjitha, kryeministri ka theksuar se unioni nuk do të duhet t’i lejojë vetës të bëjë gabimet që ka bërë gjatë pandemisë, me shpërndarjen e vaksinave.
Një shkresë sipas tij, do të shkojë edhe në Bruksel mbi këtë premisë, për të kërkuar ndihmë konkrete nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe optimizmi nuk i mungoi, kur tha se ka shpresë për një përgjigje shumë më pozitive se sa ato të mëparshmet.
Vetë nisma e Ballkanit të Hapur ndërkaq, do të jetë e përqendruar tek përballimi i krizave, duke vënë në dispozicion të të tre vendeve, çdo resurs të nevojshëm për të mos hasur në probleme me këtë sektor tejet të rëndësishëm këtë dimër.
Rruga e Ballkanit të Hapur
Veçse një qëllim e ka Ballkani i Hapur dhe ai po shfaqet më se qartë në çdo samit që mban: Zgjedhja për të shkuar përpara.
Ky është konstatimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, gjatë samitit të nismës rajonale Open Balkan, i cili po mbahet në Beograd të Serbisë.
Pikërisht tensionet e fundit në Ballkan – kryesisht ato mes Kosovës dhe Serbisë në veri – kanë qenë detajet, të cilat e bëjnë kreun e Qeverisë të mendojë se rruga e hapjes së Ballkanit, është i vetmi opsion për ruajtjen e paqes në rajon.