Belinda Balluku emërohet zv.kryeministre, duke zëvendësuar në këtë post Arben Ahmetajn, njoftoi Kryeministri Edi Rama.
“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre”, shkroi Kryeministri Edi Rama në Twitter.
Kryeministri njoftoi gjithashtu edhe largimin e kryenegociatorit me Bashkimin Europian, Zef Mazi, vetëm pak ditë pas nisjes zyrtarisht të negociatave.
“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë Kryeministrit”, njoftoi Rama.
“Falënderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falënderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”.
Ndryshimet në kabinet i janë dërguar për firmë Presidentit Bajram Begaj.