Frrok Çupi

Pasi kanë pirë fshehurazi nëpër klube të errëta, në mëngjes mallkojnë ‘haram!’…

Më kanë treguar disa herë se si burrat pinë natën në Shkup, në Tetovë a në Prishtinë. Ajo e Shkupit është pamja më filmike: Sa bie nata, shqiptarët nga përtej Urës së Gurit nisin të lëvizin, një nga një, drejt anës tjetër; por si hije, pak të përkulur që të mos njihen… Shkojnë atje dhe mblidhen në klubet ‘sllave’ ku pihet alkool. Të nesërmen të gjithë lëshojnë parulla kundër alkoolit, asnjë shkupjan shqiptar ‘nuk pi alkool’. Është interesante, vërtet.

Jo vetëm në Ballkan, por edhe në kombe e shtete të tjerë ku ndalohet alkooli, aty pihet alkool gjithë natën. Në Malajzi, gjatë një kongresi botëror të gazetarëve, nuk na la njeri të provonim qoftë edhe një gotë verë; por gazetarët malajzianë na vinin në kongres që në mëngjes të dehur. Në Tunizi, gjithashtu, e ndoshta kudo.

Kjo është interesante, vërtet, sidomos për tregime mes burrash.

Por vërtet interesante bëhet ‘sjellja me alkoolin’, sikur ta nxjerrim prej ‘shishes’ dhe ta shikojmë në sjelljen humane, politike, sociale të njerëzve në ‘zonat e vështira’. Ballkani, për të cilën po thuhet që ta bëjmë ‘të hapur’, në fakt është një zonë e vështirë. Këtu po luftohet ‘me këmbë të kalit’ kundër ‘hapjes’, dhe ndërkohë të gjitha punët (edhe punët e këqija) bëhen fshehurazi; nëpër klube të errëta si të ishte mesi i ditës.

Jam i sigurt se kjo është arsyeja pse liderët e shtetit të Kosovës po luftojnë heroikisht kundër projektit për hapjen e Ballkanit. Këta janë gati të bien shahitë në fushën e betejës politike, veç të mos u hapet klubi i errët ku i gatuajnë punët e fshehta. Janë disa njerëz që edhe kafen duan ta pinë fshehurazi…

Nëse Ballkani do të bëhej i hapur, atëherë ku do të qëndronte fuqia e këtyre liderëve?! Këta nuk do të kishin më asnjë pikë force që t’i suleshin Serbisë, asnjë pikë force që t’i suleshin Shqipërisë; asnjë kapacitet që të mashtronin gjithë ditën e të bënin plane natën.

Gjithçka që kërkohet në projektin e Ballkanit të Hapur, shumica e këtyre punëve në fakt realizohen përditë: 70 për qind e mallrave të konsumit në Kosovë vijnë nga Serbia; një pjesë e burrave i kanë gratë serbe; një pjesë e fëmijëve janë me dy kombësi; shumica shqiptare vaksinohen në Beograd; shumica bëjnë biznes me serbët….

Kjo bëhet ‘natën’. Ndërsa ditën qeveria e Kosovës i sulet Serbisë dhe Shqipërisë; me Serbinë shkel syrin sepse i di edhe gjuhën, ndërsa me Shqipërinë e ka seriozisht.

Gjatë gjithë jetës, natë e ditë, shqiptarët kanë bashkëpunuar ‘gjatë natës’ me serbët; por në mëngjes kanë dalë të larë. Me Serbinë janë bërë punë të fshehta, të fshehta edhe para gjithë botës. A ju kujtohet viti 1994? Atëherë Amerika dhe OKB morën vendim që të ‘fiket’ makina e hekurt e Milloshevicit që po copëtonte shqiptarët e Kosovës e madje edhe vetë serbët. Po e dini çfarë bënë shqiptarët? Shqiptarët e nivelit më të lartë u takuan natën; presidenti Berisha dhe presidenti Bullatovic nuk  besonin se do të zbuloheshin. Këta hapën natën rubinetat e naftës, thyen embargon ndërkombëtare, nisën trafikun e  armëve edhe për ushtrinë serbe, bënë psillëqet e mëdha kundër jetës së njeriut dhe paqes botërore.

Ishte natë, errësirë, në mëngjes vetëm binte era naftë e gjak njeriu, por nuk kishte fajtorë.

Natën, për gjithë natën, u ekzekutuan edhe dëshmitarët që fatkeqësisht i pikasën në takime liderët shqiptarë me ‘kriminelin’ Arkan dhe me të tjerë. Gjatë gjithë natës së historisë, mes Beogradit dhe Tiranës, ishin shkëmbyer misione spiunazhi, kasapë për njëri tjetrin, disa prej të cilëve u bënë liderë… Po kush i pa? Ishte natë.

Të gjitha janë bërë, por fshehurazi, në errësirë. Ballkani i hapur do të thotë që këta monstra të mos e kenë fuqinë e lakuriqit të natës. Por edhe një mrekulli tjetër sjell mëngjesi i Ballkanit të Hapur. Të fshehtat që u kryen natën në Urën (jo mbi gurë) por në Urën mbi jetë njerëzish, tani të dalin hapur… Sa frikë kanë, o zot.

Njësoj si tua kesh zbuluar klubin e errët ku kanë pirë gjithë natën