Një oficer policie me detyrë Ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit u ndalua pasi akuzohet se lejoi daljen jashtë shtetit të një personi të shpallur në kërkim.

Mësohet se ai është Elidon Çela, pronari i kompanisë “Buon Aventura” pronar i agjensisë së transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova.

Më 21 tetor 2022 në furgonin e kësaj kompanie që vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë u gjetën 522 mijë euro të padeklaruara. Paratë ishin fshehur në tavanin e furgonit, pranë impiantit të kondicionerit. Pas arrestimit, për të gjykatat e kishin lënë me masë më të butë, por në 14 shtator Gjykata e Lartë riktheu atë në arrest në burg dhe u shpall në kërkim, informon Sokol Dema.

Ai rezulton të ketë kaluar në Portin e Durrësit më 17 shtator dhe është lejuar nga polici Gledis Lushi të kaloj në mënyrë të kundraligjshme. Megjithatë, Çela ka rënë në prangat e policisë këto ditë pasi është rikthyer sërish në Shqipëri, po përmes Durrësit.

Ndalimi i Gledis Lushit është bërë dje më 22 shtator 2023 nga  Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Policia:

Ndalimi i Gledis Lushit u krye pasi dyshohet se në datë 17.09.2023 ka lejuar daljen jashtë shtetit nga  të një shtetasi të shpallur në kërkim për disa vepra penale, informoi sot AMP.