Ilir Meta kujtoi lëvizjet e forta politike që ka bërë në të shkuarën, që nga ndarja me socialistët, kalimi me Berishën në 2009, apo rikthimi tek e majta në zgjedhjet e kaluara. Në intervistën që dha për televizionin  Oranews, Meta rikonfirmoi qëndrimin se kalimi në koalicion me Berishën ishte një vendim i drejtë.

Qëndrimi për zgjedhjet e 2017 mbetet ende i pacaktuar. Kreu i LSI e lë pa përgjigje, pyetjen nëse LSI do të dalë vetëm apo në koalicion me PS në 2017, duke dhënë idenë se të gjitha alternativat janë në tavolinë.

Si u përgjigj Ilir Meta, drejpërdrejt?

“ Nuk ka lidhje me zotin Berisha, përsëri ka qenë një vendim politik dhe mendoj se ka qenë një vendim shumë i drejtë për arsye sepse jo vetëm nga ana matematike nuk kishte asnjë vendim tjetër, ose një mundësi që LSI të jepte një kontribut tjetër.

Mandatet e LSI me ato të koalicionit të majtë nuk bënin dot 71 deputetë për të prodhuar një qeveri legjitime që të garantonte qoftë dhe një stabilitet minimal për vendin, aq më tepër një qeverisje normale.

Ishte i vetmi vendim politik që LSI mund të merrte në ato kushte, përveçse një analize më të thellë që nuk ka qenë LSI që ka kundërshtuar koalicion me PS, përkundrazi ishte lidershipi i PS që edhe përmes ndryshimeve kushtetuese që bëri në prill të 2008, synonte përjashtimin dhe marxhinalizimin e LSI. Është më mirë të bëjmë politikë sesa matematikë…” tha Meta, tani pjesë e koalicionit maxhoritar, që po luhatet për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin Rama.