Kryeministri Edi Rama, në konferencën me homolohun malazez, Dritan Abazoviç theksoi se samiti i radhës të Ballkanit të Hapur do të mbahet në Mal të Zi. Kryeministri iu përgjigj edhe kritikave teksa tha se nuk ka asnjë kinez apo rus të përfshirë në këtë nismë, ndërsa shtoi se është për të jetësuar parimet e Procesit të Berlinit.
“Mos kërkoni asnjë dorë të fshehtë pas Ballkanit të Hapur, as kinez, as rusë, as marsianë, as gjermanë. Është një nisëm e jona për të jetësuar, implementuar dhe zbatuar parimet dhe objektivat e procesit të Berlinit. Po e mbyll duke dhënë një shembull, kur ishim në samitin e Berlinit, që ne e vlerësojnë shumë.
Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut rifirmosën gjëra që i kishin firmosur më përpara. Nuk pashë asnjë marrëveshje që s’e kishim firmosur më parë në Ballkanin e hapur. Është thjesht kalimi nga një ditë kur vjen kancelari, vijnë të gjithë të tjerët dhe bëhet një diskutim mbi ku jemi dhe ku duam të shkojmë.
Bëjini vetes vetëm një pyetje pse deri kur nisi Ballkani i Hapur nuk ishte realizuar asnjë marrëveshje. Zero! Për këtë është Ballkani i Hapur. Kush do të shohë në këtë proces kinezë, rusë dhe marsianë është i lirë t’i shohë.”, u shpreh mes të tjerash kryeministri Rama gjatë konferencës për shtyp.
Ndërkohë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha:
“Ne kemi marrë pjesë në samitin e mëparshëm. Çdo bashkëpunim rajonal i shkakton paqes dhe stabilitetit dhe nuk ka dhimbje koke për këtë. Dhimbje kohe do të kishim vetëm nëse do të ndodhte e kundërta. Për rajonin dhe Malin e Zi po vijnë ditë më të mira. Të kaluarën nuk e ndryshojmë dot por mund të bëjmë këtë gjë me të ardhshmen”, tha Abazoviç.