Nga: Adriatik Doçi/
Paraditen e 2 nëntorit 2021, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u paraqit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të prezantuar parashikimet e paketës së re fiskale, e cila do të shoqërojë buxhetin e vitit 2022. Përpos të tjerave, ministrja tha se ishte parashikuar edhe një taksë për qumështin pluhur që futet në Shqipëri, 100 lekë për litër, për të mbështetur prodhimin vendas dhe fermerët shqiptarë.
“Futen 1 mijë ton qumësht pluhur në vit, referuar vitit 2019, pasi viti 2020 ka qenë vit pandemik. Me taksën 100 lekë për litër, futen në buxhet rreth 100 milionë lekë në vit”, tha ministrja.
Sasia e madhe e qumështit pluhur që futet në Shqipëri tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe opinionit publik, pasi pothuajse të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit, të cilat shesin qumësht, kos, djathtë etj., në etiketë e prezantojnë produktin si 100 % natyral.
Kur deputeti socialist Erion Braçe e pyeti ministren nëse ishte konsultuar me gupet e interesit ky propozim, ajo u përgjigj me ‘po’. Por, pohimi i saj u përgënjeshtrua pas disa minutash nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi.
“Duhet të konsultohemi patjetër me grupet e interesit. Jemi në kohë për të parë se çfarë mund të reflektojmë dhe ndryshojmë brenda paketës, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Do të duhet një analizë e plotë për efektet qoftë për tregun e qumështit dhe nënprodukteve të tij, qoftë edhe të produkteve bujqësore. Ka disa shqetësime nga grupet e interesit që këto masa mund të mos shtynë drejt formalitetit, por përkundrazi…”, tha Shalsi.
Pronarët e fabrikave të qumështit dhe nënprodukteve të tij duket se kishin nisur ndërkohë në prapaskenë lobimin intensiv për të rrëzuar propozimin e qeverisë për taksën për qumështin pluhur. Ata kishin përgatitur një material me kundërshtimet e tyre që në datën 1 nëntor 2021. Dhe ky lobimi jo transparent rezulton efektiv në interesin e tyre, pasi taksa u hoq pa asnjë shpjegim.
Në projektligjin e dërguar nga qeveria në Kuvend për taksat kombëtare reflektohet tërheqja nga taksa për qumështin pluhur. Në nismën ligjore për taksat e reja, është shtuar një nen që mban numrin 4 dhe parashikon që “Përjashtohen nga pagimi i taksës për qumështin pluhur, taksës për hirrë qumështi dhe taksës për krem qumështi fabrikat e prodhimit me etiketë të miratuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit”.
Konsultat e fshehta
Nga prezantimi i taksës për qumështin pluhur nga ministrja Delina Ibrahimaj në 2 nëntor deri tek tërheqja nga taksa, nuk kishte asnjë konsultë apo negociatë publike mes ligjvënësve, Ministrisë së Financave dhe pronarëve të fabrikave të qumështit.
Shqiptarja.com zbuloi nga disa indicie se Komisioni i Ekonomisë kishte zhvilluar një seancë me bisedime me përfaqësuesit e kompanive të qumështit në datën 4 nëntor 2021. Ndryshe nga sa është operuar zakonisht, ku seancat dëgjimore me grupet e interesave janë publike dhe të hapura, seanca për taksën e qumështit pluhur në Komisionin e Ekonomisë, është mbajtur e fshehtë.
Në faqen e Kuvendit, ku shfaqen të regjistruara të gjitha mbledhjet e komisioneve parlamentare sipas datave, mungon vetëm seanca e Komisionit të Ekonomisë me tregtarët e qumështit.
Anila Denaj konfirmoi konsultat
Ish ministrja e Financave, Anila Denaj, aktualisht deputete dhe anëtare e Komisionit të Ekonomisë, konfirmoi konsultat e fshehta me pronarët e fabrikave të përpunimit të qumështit. Rreth orës 15:00 të datës 4 nëntor 2021, pas mbledhjes që nuk u bë publike, Anila Denaj shkruan: “Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave zhvilluan konsultime me grupet e interesit për paketën fiskale 2022. Vlerësuam propozimet e përfaqësuesve të shoqatave të biznesi; Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Shoqata e Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishti dhe Qumështit, Industrinë e Përpunimit të Qumështit…”.
Shpjegimi i Kuvendit për fshehjen e seancës dëgjimore
Shqiptarja.com pyeti përfaqësuesit e Kuvendit për shtypin se pse nuk ishte pasqyruar mbledhja e Komisionit të Ekonomisë me përfaqësuesit e fabrikave të përpunimit të qumështit, të cilët kërkon që të hiqej taksa e propozuar 100 lekë për litër. Ata e justifikuan mospublikimin e mbledhjes në faqen e Kuvendit si mbledhjet e tjera, se bisedimet kishin qenë informale. Në fakt, 4 ditë më vonë, të njëjtët përfaqësues u shfaqën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, duke prezantuar propozimet e tyre për paketën fiskale. Dhe kjo mbledhje ishte publike, fakt i cili ngre dyshime për fshehjen e mbledhjes nga Komisioni i Ekonomisë.
Propozimi i tregtarëve të qumështit në Komisionin e Ekonomisë
Shqiptarja.com ka siguruar propozimin e tregtarëve të qumështit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Propozimi është përfshirë në qëndrimin e Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë me në krye Nikolin Jakën, për paketën fiskale. Në propozim, ndër të tjera thuhet se “Vendosja e taksës 100 lekë për kg për qumështin pluhur jo vetëm që nuk i vjen në ndihmë fermerëve shqiptarë, por mbyll të gjitha iniciativat e industrisë agropërpunuese që prodhojnë produkte, ku si lëndë e parë është qumështi pluhur. Të përjashtohen nga pagesa e kësaj takse të gjitha fabrikat e përpunimit të produkteve të qumështit apo edhe produktet e tjera për qumësht pluhur, krem qumështi, hirrë qumështi të cilat kanë kartat teknologjike të produktit fundor me përbërje qumësht pluhur”.
Tre ditë pas konsultave, deputeti Erion Braçe, anëtarë i Komisionit të Ekonomisë, përmes një postimi në Facebook, shprehu habinë për tërheqjen e Ministrisë së Financave nga taksa për qumështin pluhur. Qëndrimi i Braçes nënkupton qartë se në Komision nuk është rënë dakord për heqjen e taksës, por tërheqja është bërë më pas. Deputeti socialist ngre pyetjen se cili zyrtar i qeverisë u tërhoq, ndërsa akuzon tregtarët e qumështit se mashtrojnë me produktet e tyre, duke u vendosur etiketë si natyrale, ndërkohë që qumështin e përziejnë me pluhur, për të grabitur shtetin me TVSH.
“Qeveria është tërhequr nga taksa e qumështit pluhur? Po përse? Dhe ku xhanëm? Qeveria ka dorëzuar në Kuvend ligjin për taksat kombëtare me takse te re për qumështin pluhur. Ne Komisionin e Ekonomisë kemi nisur shqyrtimin e tij; Po aty, bëmë një dëgjesë me fabrikat e përpunimit të qumështit; Për herë të parë dëgjova të pohonin se ata përdorin qumësht pluhur në produktet e tyre, por deri në 2 %. Dhe vetëm 2 %, nëse do të vendosej taksa për qumështin pluhur, do të rritej çmimi për produktet e tyre!!! Aty u tha se qumështi pluhur ishte në kartën teknologjike dhe me etikete të miratuar nga AKU! Pra, këta përdorin qumësht pluhur dhe duhet ta kenë të shkruar në etiketë.! Urdhëroni; Shihni etiketën e këtij qumështi dhe këtij kosi! Këtu thuhet: Prodhuar me qumësht të freskët nga fermat më të mira. Qumësht të freskët, jo qumësht pluhur. Pra këta e përdorin qumështin pluhur, por ne etikete nuk e thonë asnjëherë. Tani ndajeni mendjen; Ose më qumësht të freskët, ose me qumësht pluhur! Kjo është njëra anë. Tani ana tjetër; Nuk di cili është zyrtari i qeverise që është tërhequr nga taksa mbi qumështin pluhur, por i ka patur sytë hapur? Akoma nuk e keni marre vesh qe, qumështi pluhur si produkt përdoret për të përzierë e prodhuar produkte me “qumësht të freskët”, kurse si faturë përdoret për të grabitur shtetin me TVSH?! Si ka mundësi që nuk mendoni pak me gjatë, pyesni, hetoni e gjykoni?!”,