Një ditë pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Bashkimit për politikën e Jashtme, deklaratave për hapje të negociatave sa më shpejt me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, ka ardhur dhe një reagim i veçantë i Kryeministrit Rama.

Rama ka sjellë në vëmendje kryeveprën botërore të Samuel Beckett ‘Duke pritur Godonë’.

“Pse mendoj kaq shpesh në ditët e sotme për kryeveprën e Samuel Beckett ndërsa ndjek deklaratat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? Çdo ngjashmëri me ngjarje apo persona të vërtetë, të gjallë apo të vdekur, është sigurisht e rastësishme”, shkruan Rama

Kujtojmë se dje Keshilli i Bashkimit Evropian i ka kërkuar përmes një letre vendeve anëtare të hapin sa më parë të jetë e mundur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

’Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vetë procesi i pranimit në BE ka siguruar nxitja më e fortë për reformat dhe si e tillë, më shumë demokraci, stabilitet dhe prosperitet për të popullatat përkatëse. Tani është thelbësore që negociatat e pranimit të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të ecim përpara, së bashku me ruajtjen e vrullit të reformave në dy vende.’’- thuhet në letër.

Këshilli i BE konstaton se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndihet një sens i zhgënjimit të thellë në procesin e zgjerimit. Një prej faktorëve është mungesa e vendimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ritmi i ngadaltë i përparimit në rrugën e BE në Serbi dhe Mal të Zi, në zbatimin e përparësive kryesore për Bosnjë dhe Hercegovinën, dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në Kosovë dhe pasiguria në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë, thuhet në deklaratë.

Po ashtu sipas Këshillit të BE, duhet të ruhet vrulli i reformave në këto dy vende dhe të ecet përpara me integrimit evropian. Ky draft është paraprak dhe për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare duhet që të gjithë vendet të jenë dakord.