Nëntori ka rezultuar pozitiv për eksportet shqiptare. Të dhënat e Instat tregojnë së muajin e kaluar arritën vlerën e 27 miliardë lekëve (apo 217.3 milionë euro), në rritje me 10.5% më shumë se kundrejt të njëjtës periudhë të 2019-ës.

Megjithatë, si raport 11-mujor, situata mbetet ende larg normalitetit pasi pandemia ka fshirë pothuajse 28 miliardë lekë apo 225.3 milionë euro në total.

Kontributin më të madh në zgjerimin e eksporteve e kanë dhënë grupi i makinerive dhe pajisjeve me 4.3%, kjo edhe si rrjedhojë e hapjes së dy fabrikave të reja në industrinë automotive në vend. Ndikim në kthesën pozitive të eksporteve ka dhënë edhe grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve duke shënuar një rritje me 3.5%, teksa ushqimet vijojnë të mos ndjejnë efektet e pandemisë dhe të ndjekin sërish një trend në rritje.

Tekstilet dhe këpucët nga ana tjetër vijojnë të ndjejnë pasojat e pandemisë duke parë një tjetër tkurrje edhe për nëntorin , si rrjedhojë e masave bllokuese që kanë ndërmarrë vendet drejt të cilave bëjnë dërgesa të mallrave, me një rënie prej 341 milionë lekë më pak se në 2019. Pandemia duket se ka ndryshuar edhe hartën drejt të cilave janë dërguar mallrat “Made in Albania” duke u rritur ato drejt Gjermanisë e vendeve të rajonit si Maqedoni e Greqi, e duke u tkurrur drejt Spanjës si pasojë e rënies së ndjeshme të fasonëve.

Nga ana tjetër, edhe importet kanë parë një rritje të ndjeshme në nëntor duke arritur në 56 miliardë lekë, apo 5% në shumë se e njëjta periudhë e 2019-ës, teksa si 11-mujor janë ulur me 8.4%, ndikuar së tepërmi nga ulja e blerjes së energjisë elektrike.

VERITAS.COM.AL