Kushdo që ka pasur dyshime për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Open Balkan, ato i ka shuar ambasadori amerikan në Serbi, Christopher R. Hill.

“Së pari, SHBA-të mbështesin përpjekjet për integrim rajonal në përgjithësi dhe, veçanërisht, një përpjekje që po zhvillohet brenda në rajon dhe është shumë më përpara se disa të tjera përpjekje”, ka qartësuar ai në një konferencë për media, pas kthimit nga Ohri, ku u mbajt mbledhja e liderëve të Open Balkan.

“Qartësisht Open Balkan është i fokusuar në aktivitet ekonomik, por gjithashtu është i fokusuar në sjelljen e Rajonit së bashku dhe zhvillimin e shtigjeve për bashkëpunim mes vendeve”, shtoi Hill.

“Nëse mendoni për faktin që ka kaq shumë kufij në Ballkan dhe, në fund, kur kaloni në kufirin evropian, mund të shkoni deri lart në Suedi pa asnjë ndërprerje, prandaj duhet të ketë shumë më pak ndërprerje në Ballkan. Kufijtë do të duhej t’i bashkonin shtetet e jo t’i ndanin”.

Gjithsesi, Hill është ngutur për ta bërë të qartë se Open Balkan nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian për këto shtete, sepse, po të konsiderohej ashtu, ai vetë nuk do ta merrte parasysh fare.

“Është vërtet ide e mirë. Por, pyetja që shqetësonte, ishte nëse Open Balkan është ndonjë lloj alternative ndaj anëtarësimit në BE dhe struktura të tjera euro-atlantike. Dhe, më lejoni të them, këtu flas personalisht, do të kisha zero interes në Open Balkan nëse në ndonjë mënyrë do të konsiderohej alternativë për BE-në”.