(Updated)

Ka disa ditë që deputeti socialist (Rilindje), Sadi Abazi, është vënë nën akuzë nga Partia Demokratike (në opozitë). Mediat, duke iu referuar foltoreve politike, kanë paraqitur disa fakte dhe prova për disa afera korruptive mes tij dhe kryeministrit Rama. Më parë, në një listë të paraqitur nga OSBE, deputeti Abazi që është edhe biznesmen, është paraqitur në tabelën “biznese kriminale”.

Veritas.com.al këto ditë ka vëzhguar ecurinë e denoncimit të ëprditshëm ndaj deputetit Abazi. Tashmë duket se është p[plotësuar edhe qarku politik pse kryeministri Rama përkëdhel bizneset e Abazit duke e favorizuar në kundërshtim me ligjin.

Arsyeja e parë është se Abazi është me origjinë nga Dibra. Tani në Dibër bëhen zgjedhjet për kryetar të Bashkisë. Fitorja në Dibër i duhet Ramës si një provë se qeveria nuk e ka humbur mbështetjen aq keq sa thuhet.

E dyta, se kryeministri që ka humbur mbështetjen në gjithë Veriun, i duhet të kapet pas disa deputetëve veriorë që mund të “futen në thes” me disa tenderë e favore financiare.

Sot partia Demokratike ka bërë një tjetër rezyme të veprave abuzive mes kryeministrit dhe deputetit Sadri Abazi.

Zëdhënësja Ina Zhupa deklaroi se “favoret e kryeministrit Rama nuk ndalen për oligarkun e tij Sadri, në shkelje të ligjit.”

“Paniku prej votës së 11 shtatorit, – tha Zhupa, – e ka bërë Edi Ramën të hapë qesen e të dorovisë paratë e shqiptarëve sipas interesit klientelist. Oligarku i Ramës ka marrë një tender pak ditë më pare, 870 milionë lekë për rikonstruksionin e bulevardit Elez Isufi në Dibër, ku ishte paracaktuar si fitues ai dhe nipi i tij me firmën ALKI Impex.

Të gjashtë operatorët e tjerë në garë u skualifikuan, ndonëse dy prej tyre kishin bërë ofertë me 200 milionë lekë më pak se firma e Sadriut.

Ankesat e tyre ligjore tek KPP e Edi Ramës, u hodhën poshtë me urdhër, sepse dihet që njeriu që vendos për çdo tender në vend, është vetë Edi Rama, i cili i ka kërkuar Sadriut të hidhet në sulm e të blejë sa më shumë vota në zgjedhjet në Dibër, ndaj dhe nuk ndalen tenderët për këtë oligark të rilindjes.

200 milionë lek më shumë se sa kushton puna, Rama i jep Sadriut, me të cilat mund të paguheshin në Dibër 1333 pensione në qytet, 2424 pensione në fshat, 2900 familje mund të merrnin pagesë mujore për papunësinë dhe 909 persona mund të përfitonin të punësuar me pagë minimale.

Por Edi Rama ia jep këto dhe qindra milionë lekë të tjerë të taksave të shqiptarëve, Sadriut, në shkelje të ligjit, që Sadriu t’i përdorë më pas për të blerë votat në Dibër për kandidatin e qeverisë.

Sepse Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por blerja e votës, kapja e pushtetit me çdo kusht. Me këto akte korrupsioni dhe me këto krime ndaj votës së lirë, Edi Rama në fakt po blen vetëm fundin e tij të shpejtë.

Dibranët e dinë mirë si gjithë qytetarët e vendit, se Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.”

Kështu deklaroi sot Partia Demokratike

(Updated, 24 gusht)

Edhe 1.73 miliard lekë Abazit “ për restaurimin e qendrës së Dibrës”

Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Rama se i ka dhënë tenderin e restaurimit të e qendrës së Dibrës deputetit socialist, Sadri Abazi.

Zëdhënësja Ina Zhupa tha se ky tender me vlerë 1.73 miliard lekë i është dhënë kompanisë “ALKO Impex” në kundërshtim me ligjin.

Më poshtë deklarata e plotë e Zhupës.

“Vetëm dy ditë më parë Sadriu i Ramës ka marrë një tjetër tender në kundërshtim me ligjin prej 1.73 miliard lekësh për rivitalizimin e hapësirave publike në zonën pranë Pallatit të Kulturës në Dibër. Oferta e kompanisë “ALKO Impex”, ishte 220 milion lekë më shumë se oferta më e ulët.

220 milionë lek më shumë që Rama i fal Sadriut, mjaftonin për të paguar 3170 pagesa papunësie për mijëra familje në gjendje të rëndë ekonomike në Dibër,  mund të përdoreshin për të punësuar 987 dibranë me pagë minimale nga lista prej mijëra te papunësh në Dibër. Me 220 milionë lekë të korrupsionit Rama-Sadri, mund të paguheshin 1447 pensione mesatare ne qytet ose 2632 pensione mesatare në fshat.

(Updated)

Tjetër tender për Sadri Abazin në Dibër, 790 milionë lekë për shkollën e Maqellarës

Pas bulevardit dhe qendrës së kulturës, PD thotë se Edi Rama i ka dhënë Sadri Abazit një tender tjetër në Dibër. Dhe ashtu si në dy  tenderët e parë, ai është shpallur fitues edhe pse ka patur ofertën më të lartë. Bëhet fjalë për një tender prej 790 milionë lekësh. Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa tha se oferta e kompanisë së lidhur me Sadri Abazin ishte 98 milionë lekë më shumë.

Ja një pjesë e deklaratës së PD:

“Çdo tender është i vlefshëm për të marr copën e radhës nga paratë e shqiptarëve për interesat klienteliste e të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht.

Sadriu i Ramës ka kapur së fundmi tenderin për ndërtimin e shkollës në Maqellarë, me vlerën totale prej 790 milione lekësh.

Edhe kësaj radhe si përherë me tenderat e Ramës për Sadriun fiton oferta më e lartë, e kompanisë së tij Alko Impex, me diferencë me ofertën më të ulet me 98 milion lek.

98 milion lek më shumë që i jepen njerit prej të dërguarve me punë votash në Dibër, Sadriut, në kurriz të qytetarëve. Me këto para që ju përkasin qytetarëve mund të ishin paguar 1430 pagesa papunësie për dibranët, mund të kishin një punë me page minimale 445 pjestarë te familjeve dibrane. Me këto para mund ti merrnin pensionin e tyre për një jetë me pak më shumë dinjitet 652 pensionist në qytet dhe 1186 pensionistë në fshat”.

 

 (Updated)

12 miliardë lekë i ka dhënë Rama oligarkut Sadri Abazi

Zëdhënësja e Partisë demokratike në opozitë, Ina Zhupa, tha në një deklaratë për mediat, se “oligarku Abazi ka marrë nga ministritë dhe bashkitë e Ramës 12 miliardë lekë brenda një viti, edhe pse ofertat e firmave të tij në tenderë kanë qenë më të larta”.

Më poshtë deklarata:

Fatura e korrupsionit të Edi Ramës vetëm me tenderët që i jep Sadri Abazit për një vit është sa pensioni në qytet për 7055 persona, pensioni në fshat për 12 832 persona, sa 4811 paga minimale, është pagesa e papunësisë për 15 453 persona.

Është pra njësoj sikur çdo familje dibrane të marrë 68 mijë e 500 lekë më muaj pagesë papunësie, por që nuk i marrin, sepse i ndan Rama me Sadriun.

Prej tre vitesh, me këtë skemë, pasuritë e buxheti i vendit shkojnë për Edi Ramën e kusarët e tij, për popullin mbetet varfëria, burgu ose emigracioni.

Konkretisht, Edi Rama i ka dhënë oligarkut të tij Sadri dhjetëra tenderë për një vit dhe ka pranuar ofertën e tij më të lartë në çdo rast. 12 miliardë lekë ka marrë Sadriu nga ministritë e bashkitë e Edi Ramës, ndërkohë që ofertat e tjera të shkualifikuara merrnin përsipër t’i kryenin punimet me 11 miliardë lekë. 1 miliardë lekë është diferenca, është fatura e korrupsionit të Edi Ramës.

1 miliardë lekë që vidhen ende pa filluar punimet, para që do të kishin përmirësuar jetën e mijëra qytetarëve, sic edhe i kemi renditur në tabelë.

1 miliardë lekë Edi Rama mund ti kishte kursyer duke lejuar garën e konkurencën. Këto para mund të shkonin për zbutjen e varfërisë e krijimin e vendeve të punës. Po nuk është ky prioriteti i Edi Ramës. Nuk janë qytetarët zgjedhja e tij. Prioriteti dhe zgjedhja e tij, është ndarja e parave të shqiptarëve me Sadriun. Që Sadriu më pas të blejë vota. Që pushteti të mbahet me çdo kusht.

Ky sundim i korruptuar e kriminal është në ditët e fundit”.

Kështu deklaroi sot PD