Mendohet ndërkaq se teknika ushtarake janë përdorur gjatë sulmit dhe se të implikuarit, me shumë gjasë, kanë qenë vrasës me pagesë.
Një shpërblim prej 3 milionë lekësh është vënë ndërkohë në dispozicion të çdo informacioni mbi identitetin apo vendodhjen e autorëve të ngjarjes, nga vetë strukturat policore.
Si u zhvillua ngjarja?
Ora do të shënonte rreth 14:40, të dielën e 17 korrikut 2022.
Një automjet me xhama të errët, i tipi Volkswagen Passat, iu afrua një automjeti tjetër në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë-Krujës.
Me të parakaluar, rroga iu bllokua automjetit tjetër dhe tre persona (të paktën kështu mendohet), dolën nga Volkswageni dhe goditën me breshëri automatiku drejt veturës tjetër.
Dy persona mbetën të vdekur të vend. Një tjetër, arriti të shpëtojë momentalisht dhe doli nga automjeti. Dhjetë metra në distancë, një tjetër breshëri automatiku e la të vdekur në vend, në mes të rrugës.
Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, në drejtim të fshatit Larushkë, pranë Fushë-Krujës, ku u gjet i djegur mjeti i tyre me brenda dy armë të llojit Kallashnikov dhe një tjetër e llojit automatik.
Në veturën e sheshuar nga plumbat në rrugën e Fushë-Krujës, mjeti pati marrë flakë dhe dy trupat brenda tij, i shkrumboi.
Viktima i shtrirë përtokë, u identifikua menjëherë si Diklen Vata, person me precedentë kriminalë.
Pak minuta më vonë, erdhi edhe një lajm tjetër.
Dy personat e shkrumbuar brenda mjetit ishin Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.
Ky i fundit, tepër i njohur në botën e krimit, mbi të gjitha, sepse ishte familjar i afërt i një emri edhe më të dëgjuar për krimin shqiptar, atë të Ervis Martinajt.
Njerëzit pranë këtij të fundit, sërish, kishin rënë pre e një atentati.
Kush ishte Brilant Martinaj?
Brilanti ishte vetëm 22-vjeçar, por mbi supet e tija rëndonin dy akuza shumë të rënda, të cilat e kishin kthyer edhe në një person të shumëkërkuar nga Policia e Shtetit dhe gjithashtu nga Interpoli, pasi ishte shpallur person në kërkim.
Dy vrasje, mendohet se kanë pasur implikimin direkt të Brilant Martinajt. Të dy vrasjet, ndaj dy efektivëve të Policisë.
I pari, është rasti i ish-efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, i cili është ekzekutuar nga Brilant Martinaj më 29 dhjetor 2021.
Po ashtu, Martinaj mendohet se ka vrarë edhe ish-policin Xhelal Reçi, në Laç, përpara një banke të nivelit të dytë, në nëntor 2021.
Njëri pas tjetrit
Ervis Martinaj, është një prej emrave më të lakuar nga strukturat e rendit në Shqipëri, pasi është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg, si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në vitin 2015, në zonën e Linzës.
Po ashtu, emri i tij lakohet edhe në dy dosje me shumë rëndësi në Shqipëri: Atë të Emiljano Shullazit dhe atë të Nuredin Dumanit.
Në arrati nga autoritetet dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ai veçse mund ta ketë parë lajmin e ekzekutimit të të afërmit dhe miqve të tij.
Por, kjo nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh. Mbi të gjitha, pas ngjarjes së bujshme të tetorit 2018 në bllok.
Një prej dyqaneve më të shtrenjtë e më të njohur në zonën e ish-bllokut në Tiranë, do të kthehej në skenën më të bujshme të krimit në tetor 2018.
Ishte pikërisht data 4 tetor, kur Ervis Martinaj me një grup miqsh, do të futej në dyqanin Monopol, pas një konfliktimi me shtetasin Ervin Mata në një prej lokaleve të zonës.
Prej aty, jo të gjithë dolën të gjallë.
Viktimë, ishte një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.
Vetë Ervis Martinaj u plagos gjatë ngjarjes, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte, Eljo Hato.
Haxhën ndërkaq e pati qëlluar truproja i Ervin Matës, Mervjol Bilo.
Rasti Malko
Santiago Malko, një ish-polic, mik i Martinajt, mbeti i vrarë në gusht 2019, pas një atentati që iu bë në mjetin e tij tip BMW.
Malko u ekzekutua më 27 gusht në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20, në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së tij u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.
Sipas SPAK-ut, vrasjes së ish-policit i paraprin një ngjarje kriminale, ajo e 26 gushtit në vitin 2018, kur në një lokal mbetën të plagosur Juxhin Hamajezi, Ibrahim Durollari dhe Rovaldo Mumajesi.
Autori i kësaj ngjarjeje dyshohej të ishte pikërisht Santiago Malko. Fill pas kësaj, SPAK sugjestionoi se ai ka qenë i përfshirë edhe në tentativën për vrasjen e Erlis Dukës.
Ndërkohë, në një intervistë televizive nëna e viktimës do të shprehej se vëllezërit Duka ishin vrasësit e djalit të saj.
Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj.
Vrasja e Astirit
Erigers Mihasi, do të bëhej edhe miku i tretë i Martinajt, i cili do të mbetej i vrarë në një atentat në Tiranë, në zonën e Astirit.
Pasi ishte i shpallur në kërkim në qershor 2020 nga Policia, Mihasi u vra më 13 nëntor 2021, në udhëtim e sipër me automjetin e tij tip Audi A8.
Mihasi, së bashku me një mikun e tij të automjet, u qëlluan me breshëri automatiku dhe u lanë të vdekur në vend.
Ngjarja tek “Monopoli” e ka bërë po ashtu të njohur fillimisht për Polinë Mihasin, pasi ai u mor në pyetje lidhur me çfarë ndodhi aty.
Mihasi ishte po ashtu mik i ngushtë me Santiago Malkon, i cili u vra disa muaj përpara atij.
Ndërsa, me vrasjen e Brilant Martinajt, saga e krimeve ndaj miqve të Ervis Martinajt (apo edhe të afërmve tashmë) nuk ka të përmbyllur dhe vijon të jetë e hapur.
Mandej, autorët për vrasjen e Mihasit, ende nuk janë identifikuar dhe vrasja e Brilant Martinajt, në mos identike, është shumë e ngjashme me atë të ndodhur në Astir në fund të 2021-shit.