Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në konferencën e dytë për shtyp njoftoi se dalja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, deri në orën 13:00, në mbarë territorin e Maqedonisë është 34,83 për qind.
Për gjashtë orë të tjera, që janë orët e fundit dhe më dinamike, pjesëmarrja mund të rritet deri në shifra shumë të kënaqshme.
“Deri më tani në Komisionin Shtetëror Zgjedhor nuk ka arritur ndonjë informacion për shkelje të procesit zgjedhor dhe vlerësimi ynë është se votimi zhvillohet në një atmosferë të qetë dhe fer, pa asnjë parregullsi”, u shpreh kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Zgjedhjet zhvillohen në 3.480 qendra votimi në gjashtë njësi zgjedhore në mbarë territorin e vendit, si dhe në 46 qendra votimi në njësinë e shtatë zgjedhore që mbulon diasporën. Në gjashtë njësitë e para janë të regjistruar 1.784.416 shtetas të Maqedonisë, ndërsa në njësinë e shtatë 20.573 qytetarë të cilët patën mundësinë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës gjatë ditës së djeshme.
Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 11 subjekte politike, prej të cilave gjashtë parti politike dhe pesë koalicione, me gjithsej 58 lista me 1.092 kandidatë për deputetë.
/Veritas.com.al/