“Deri tani janë testuar në Institutin e Shëndetit Publik 114 raste të dyshuara, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitive. Bëhet fjalë për dy të sëmurët e parë të deklaruar dhe 6 persona të tjerë kontakte të ngushta të këtyre të sëmurëve si dhe dy raste të reja të palidhura me dy rastet e para”.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është shprehur në mbledhjen e Qeverisë për masat kundër koronavirusit se rastet e të prekurve në ditët në vijim pritet të rriten.

“Sipas skenarëve të realizuar nga ekipi i eksperteve që përshtaten me situatën, kurbën e të prekurve. Parashikohet në këto momente për një rritje të numrit të rasteve. Dhe ky s’është momenti për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat.” tha Manastirliu.

Në komunikimin e përditshëm me mediat nga Ministria e Shëndetësisë, zv. Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi se pritet një rritje e numrit të rasteve duke kërkuar nga qytetarët respektimin rigoroz të urdhrave dhe të masave të përcaktuara nga autoritetet.

Zv/Ministrja Rakacolli tha se është vendosur karantinimi i detyrueshëm për personat si kontakte të ngushtë të rasteve të konfirmuara me COVID-19.

“Masat që po vazhdojmë të marrim është karantinimi i detyruar për të gjithë kontaktet e ngushta të atyre personave që dalin të sëmurë me koronavirus. E ritheksoj, karantinim i detyrueshëm. Është i rëndësishëm sepse shmang kontaktet e këtyre njerëzve me të tjetër dhe shmang perhapjen”, u shpreh zv/ ministrja.

Zv/Ministrja kërkoi respektimin rigoroz të rregulla të reja nga qytetarët.

“Ka një kontradiktë mes panikut të shtuar dhe sjelljes që qytetarët kanë. Duhet të evitoni ambientet me grumbullime, të respektoni distancën një metër, të minimizoni përdorimin e transportit publik, të kafeneve, të restoranteve. Të shmangni daljet e panevojshme. Nëse qytetarët i marrin këto masa, atëherë ne si autoritete i kemi kapacitetet dhe strukturat të përgatitura për të përballuar çdo skenar”, tha Rakacolli.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj apeloi qytetarët që të mos drejtohen menjëherë në spital por nëse kanë histori udhëtimi dhe një nga shenjat e sëmundjes të telefonojnë në numrin 127.

“Është trefishuar numri i atyre qe telefonojnë në numrin 127 për të pasur informacion. Mbi 90 % e rasteve e kalojnë me sukses në shtëpi një situatë të tillë. Prandaj është shumë e rëndësishme të kufizojmë lëvizjet që të kufizojmë përhapjen. Në rast se keni shenja të sëmundjes telefononi numrin 127 dhe jo të shkoni direkt në spital për të ruajtur veten nga viruset e tjera dhe për të minimizuar përhapjen për personat e tjerë”, tha Brataj.

Drejtoresha e ISHP Albana Fico deklaroi se ISHP i ka kapacitetet për të krijuar testet sipas nevojave.

“Sa i përket testimeve kemi kryer 114 teste ndërkohë që kapacitetet sikundër e kemi thënë janë nga 200 deri në 500 teste në ditë. Kemi kite në dispozicion dhe kemi sigurar edhe kite të tjera” tha Fico.

Autoritetet shëndetësore apeluan edhe njëherë për respektimin e kufizimeve në lëvizje, frekuentimin të ambienteve me shumë njerëz, respektimin e masave të higjienës personale: larjen e duarve, respektimin e higjienës respiratore, nëse kollitemi përdorim gropën e bërrylit ose shami letre njëpërdorimshëm, të respektojmë distancën një metër pasi infeksioni transmetohet nëpërmjet spërklave, të dezinfektohen sipërfaqet e ambienteve ku qëndrojmë ose punojmë.

 

VERITAS.COM.AL/