Departamenti i Drejtësisë në SHBA është njoftuar për çështjen e lobimit në Partinë Demokratike nga vetë lobisti Nick Muzin, plot 11 ditë para se këtë ta bënte zyrtari i lartë i FBI, Charles McGonigal, siç thuhet në akt akuzën për të, fakt që nga opozita në Shqipëri konsiderohet si nisja e procesit të shkatërrimit të Partisë Demokratike me ndërhyrjen e Edi Ramës.
Ka qenë gazeta më e madhe amerikane ‘New York Times’ e cila e sqaron qartë në shkrimin e sotëm duke vërtetuar edhe një herë se nuk ka qenë Qeveria shqiptare ajo që e ka raportuar këtë çështje e para dhe madje tanimë as njoftimin për Departamentin e Drejtësisë nuk e ka bërë i pari McGonigal më 25 nëntor 2017 pasi ka qenë vetë Nik Muzin që ka depozituar informacionin që më 11 nëntor 2017.
“Në nëntor, pasi z. McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe z. Ducka në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje ndaj Presidentit Donald J. Trump. Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin. Vetëm disa ditë përpara se z. McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, z. Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte zotin Rama. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i zotit Trump”, ka shkruar New York Times.
Opinioni publik shqiptar ishte njoftuar më herët për këtë çështje, më 22 nëntor 2017, nga një shkrim i botuar nga BIRN në Shqipëri me titull: “Kontrata e fshehtë e PD me lobistin amerikan, transferta milionëshe përmes kompanisë ‘offshore’”. Në shkrim jepet qartë emri i Nick Muzin, çfarë përfaqësonte ky lobist si dhe transfertat e parave nga Partia Demokratike në llogaritë e tij. Në shkrim jepeshin detaje të thelluara të aferës, edhe të faktit se hidheshin dyshime të forta.
Pra për të bërë edhe një herë në mënyrë kronologjike se çfarë thuhet në akt-akuzën amerikane dhe çfarë ka ndodhur:
Në akt-akuzën e prokurorisë së Uashington D.C të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se “Më 25 nëntor 2017, i pandehuri McGonigal informoi prokurorët e Departamentit të Drejtësisë se lidhur me një hetim të ri të mundshëm penal që përfshin një shtetas amerikan i cili ishte regjistruar për të kryer punë lobimi në Shtetet e Bashkuara në emër të një partie politike shqiptare, parti e ndryshme nga ajo në të cilën ishte anëtar kryeministri. Një ditë më parë (pra më 24 nëntor), ai kishte ka marrë informacion nga Personi B (Dorian Duçka për emrin e këtij shtetasi amerikane (pra Nick Muzin)”.
Në akt-akuzë përmendet një tjetër moment, ai më 4 janar 2018, kur thuhet se “i pandehuri McGonigal mori informacion nga Personi A (Agron Neza) në lidhje me lobistin amerikan, dhe ai ia përcolli informacionin një agjenti tjetër special të FBINY të nesërmen”. Po në aktakuzë thuhet se “më 22 janar 2018, i pandehuri McGonigal mori informacion në lidhje me lobistin amerikan nga Personi A (Agron neza), dhe ia përcolli informacionin një zyrtari tjetër të FBI-NY, i cili ishte punonjësi në vartësi të tij. Personi A e kishte marrë informacionin nga Zyra e Kryeministrit shqiptar”
Pra datat janë 25 nëntor 2017, 4 janar 2018 (më shumë se një muaj më vonë) dhe 22 janar 2018. Por në fakt para se të ndodhnin të gjitha këto, jo vetëm që në Tiranë BIRN e kishte njoftuar, por edhe 8 ditë para se ta botonte BIRN vetë Nick Muzin kishte njoftuar Departamentin e Drejtësisë në SHBA që më 14 nëntor 2017. Pra një tjetër fakt që rrëzon totalisht atë që pretendon opozita në Shqipëri se Rama “pagoi një ‘vrasës më pagesë’ për të vrarë opozitën shqiptare, pra PD-në, duke e bërë dhe Berishën të kërcënojë se Shqipëria nuk do të ketë paqe deri sa kjo Rama të ikë.