
SHBA ka mbajtur dy herë anën e Rusisë në votat në OKB për të shënuar përvjetorin e tretë të pushtimit rus të Ukrainës, duke theksuar ndryshimin e qëndrimit të administratës Trump ndaj luftës.
Së pari të dy vendet kundërshtuan një rezolutë të hartuar nga evropianët që dënon veprimet e Moskës dhe mbështet integritetin territorial të Ukrainës, e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (UNGA) në New York.
Më pas ata mbështetën një rezolutë të hartuar nga SHBA në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për t’i dhënë fund konfliktit, por që nuk përmban kritika ndaj Rusisë.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit u miratua, por dy aleatët kryesorë të SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, abstenuan në votim pasi përpjekjet e tyre për të ndryshuar formulimin u vunë veto.
Rezolutat konkurruese u paraqitën ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në një përpjekje për të adresuar dallimet e tyre të mprehta për luftën.
Të enjten, kryeministri britanik Sir Keir Starmer do të vizitojë gjithashtu liderin e ri amerikan.
Shtëpia e Bardhë e Trump ka përmbysur aleancën transatlantike, duke fituar favorin e Moskës dhe duke hedhur dyshime mbi angazhimin afatgjatë të Amerikës për sigurinë evropiane.
Diplomatët evropianë paraqitën një tekst më të detajuar, duke fajësuar Rusinë për pushtimin e saj në shkallë të plotë dhe duke mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Ne duhet të rikonfirmojmë se agresioni duhet të dënohet dhe diskreditohet, jo të shpërblehet”, tha zëvendësministrja e Jashtme e Ukrainës, Mariana Betsa.
Anëtarët e OKB-së e mbështetën rezolutën evropiane me 93 vota, ndërsa SHBA votuan kundër saj, së bashku me Rusinë, Izraelin, Korenë e Veriut, Sudanin, Bjellorusinë, Hungarinë dhe 11 shtete të tjera, me 65 abstenime.
OKB-ja miratoi gjithashtu rezolutën e SHBA-së, por vetëm pasi ajo u ndryshua për të përfshirë gjuhën që mbështeste Ukrainën, gjë që çoi në abstenimin e SHBA-së.
Komente