Nga: Laert Skiro/
Pse është kthyer përsëri ‘moda’ e thirrjeve politike nga ata që ‘nuk janë në politikë’? Dy ditët e fiunidt, kryetare e LSI u ka bërë thirrje njerëzve që të dalin në protestë ‘si qytetarë’. Edhe kryetari i PD, Basha, thuajse të njëjtën linjë po transmeton në takimet me ‘popullin protestues’. Basha ka hyrë në familje të varfra, që në vendin tonë janë me shumicë, dhe u ka bërë thirrje për protestë, por me sloganin që ‘të jemi të gjithë të barabartë’.
Politikisht askush nuk po flet. E njëjta gjë ka ndodhur me kryeministrin aktual Edi Rama kur ndodhej në opozitë, kur tha se ‘nuk jam politikan’. Politika, me sa duket, e përdorka këtë taktikë në momentet e krizës së saj, dhe me qëllim që të mbledhë sa më shumë njerëz rreth vetes, por duke e ditur se ata nuk besojnë ‘politikën’, por besojnë interesin e tyre ‘si të varfër.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim me strukturat e partisë në Elbasan u ka bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën e 27 janarit.
“Ne sot do ju bëjmë thirrje nga Elbasani të gjithë shqiptarëve që më 27 janar të jenë pjesë e protestës së shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk është protestë e opozitës, harrojini bindjet politike më 27 janar, është dita e ndërgjegjësimit të shqiptarëve për t’u zgjuar nga ajo pabarazi që ka pllakosur sot Shqipërinë, jo vetëm në jetën ekonomike e shoqërore, po një pabarazi jetësore në të cilën jetojmë sot”, tha znj. Kryemadhi.
Ja edhe mesazhi i Bashës nga një familje e varfër:
“Në familjet e Xhemal Domit dhe Baftjar Dokut, të cilat jetojnë me ndihmë ekonomike. Kryefamiljarët më treguan për luftën e përditshme për të siguruar bukën e gojës të fëmijëve të tyre. Ndihma ekonomike mjerane nuk mjafton! Në 27 janar do t’i themi “Ndal” kësaj qeverisjeje që i ka braktisur njerëzit e thjeshtë.”
Kryetarja e LSI iu kthye thirrjes prekëse të ardhur që nga Rilindja Kombëtare ‘Çohuni shqiptarë prej gjumit, çonu…”. Dmth., me thirrje jashtë- politike. Ajo tha se kjo forcë politike (LSI) sot kërkon po përsëri përkrahjen tuaj “për të zgjuar shqiptarët nga gjumi i frikshëm i harresës në të cilën i ka përfshirë”.
Veritas.com.al/