Frrok Çupi/
Sot doli kohë e thatë.. Thuajse një muaj i tërë me vjeshtë që rrjedh nga qielli, u pre këtu. Edhe opozita duket se u pre mbrëmë në mesnatë; sot nuk ka më asnjë fjalë mbi ” krimin dhe grupet mafioze brenda qeverisë që po vrasin njëri tjetrin”. Mbrëmë e dje gjithë ditën u tund dheu pasi një gardist i ri, 31 vjeç, u gjet i vdekur me plumb kokës në parkingun e Gardës. Kishte qenë edhe shofer i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Opozita dhe media shumë afër saj, dje lëshuan alarmin se “mafiozët brenda qeverisë po eleminojnë njëri tjetrin”. U thanë aq shumë tmerre, saqë ‘ rrebeshi’ nuk mund të pushonte më..
Madje, opozita dhe media e saj, do të kishin marrë flamurin e lartë të sundimit të shtetit mbi mafien, sikur akuzat e lëshuara të merrnin një rrugë drejt të vërtetës. Se vërtet është e rëndë që papritur, në garazhin e Gardës, të vritet shoferi i Ministrit. As në Siçilinë e viteve më të egra të Camorës, nuk ka ndodhur kaq fort. Opoziat shpalli se ‘dikush nga brenda i ka vrarë shoferin ministrit’. Pastaj u tha në mediat e saj se ‘ është vrarë vëllai i Ministrit’. Pastaj u la për të nënkuptuar se ‘radhën e ka ministri’. Po lahen hesapet brenda qeverisë!- u tha…
Këto janë të beueshme, por edhe të tmerrshme- njëkohësisht. Të besueshme, por jo prova; mendja e njeriut që do të ruajë paqen dhe familjen, menjëherë i merr si të besueshme të gjitha këto që ndodhën dje… Në një publik që beson opozitën dhe në një opozitë që beson çfarë thotë vetë, sot në mëngjes populli shqiptar do të ishte në rrugë për të kërkuar largimin e mafies që paska okupuar shtetin!..
Por sot nuk ka më asnjë fjalë nga opozita. Shikoni sheshet, shikoni tribunat, shikoni mediat- edhe të opozitës. Asnjë pikë ‘shiu’, asnjë fjalë. Mbrëmë natën pushoi gjithçka. Mu bë sikur i pashë liderët e opozitës duke u skërmitur nëpër natë tek i thonë njëri tjetrit: “E bëmë tonën, ua futëm” tanëve. Opozita ka një lidhje organike deri në gjak me maxhorancën; nuk ka ndodhur fatkeqësi e tillë politike në asnjë vend ku është shpallur demokracia.
Ja ku opozita i lëpihet maxhorancës:
Gjithë ditën dje ngriti pluhurin e dynjasë për vrasjen e një djali 31 vjeç. Opozitapunoi me dy krahët e qeverisë: Me krahun që u frikësua bëri një marrëveshje të re dhe përfitoi ndonjë tender ose një tra në doganë. Me krahun që nuk ka frikë- opozita ka një marrëveshje që nga 18 maji 2017. Opozita e ndërpret ‘ rrebeshin’ mu në mesnatë, pa mbaruar ‘ qershori’ vjeshtak. A u nërpre ‘ Çadra’ dhe ‘Republika e Re’? A u ndërpre protesta e Nëntorit 2016- dy ditë para se George Soros të vizitonte zyrën e kryetarit të PD? A u ndërrpe hetimi mbi 3.4 milionë euro në makinën ‘ Toyota’ për shkak se kryetari i Opozitës bëri lojën e qeverisë dhe ‘shpalli sekretin’ që ia dha vetë qeveria?
Në çdo rast Qeveria i bën një shenjë opozitës: “Boll tani, ikni në shtëpi”, dhe liderët e opozitës ikin, dhe kryetari vjen në marrëveshje.
… Sot në mëngjes doli se asgjë nga ato që kërcënoi opozita dje, nuk qenka e vërtetë. Se njerëzit dinë të lexojnë dhe të mos besojnë kurrë më. Opozita e ka humbur besimin për gjithë jetën. Sa ngre një akuzë, pas mesnate kthehet e skërmitur duke vështruar nga fytyra e qeverisë: “Hë, je apo nuk je e kënaqur me lojën”.
Të paktën sot në mëngjes jemi të qetë- sipas opozitës- qeveria nuk ka as mafie, as krim, as pikë dyshimi. “Ishte loja!”. Sot është mot i thatë opozitar. Edhe pasnesër do të jetë mot po kaq i thatë, edhe sikur nesër të lëshojë ndonjë ‘ shi’ opozita qeveritare.
Veritas.com.al/