Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mëngjesin e 9 shkurtit i është bashkuar deklaratës së  Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Kjo në kuadrin e mbështetjes së zgjatjes së mandatit të institucioneve të vetting-ut.

Duke folur në një takim vjetor strategjik mes Prezencës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, theksoi progresin e jashtëzakonshëm të arritur deri më tani në reformën në drejtësi.

Ai shprehu besimin e plotë për rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetting-ut, Ambasadori Del Monaco më tej përsëriti se ai nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ajo e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët kanë theksuar se e mbështesin “fuqishëm” zgjatjen e mandatit të organeve të vetting-ut.

Kujtojmë që Këshilli i Legjislacionit, të premten e 21 janarit, miratoi ndryshimet kushtetuese për sa i takon zgjatjes së mandatave të organeve të vetting-ut deri në fund të vitit 2024.

Ishte data 15 tetor 2021, kur PS-ja depozitoi në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të Vetting-ut.

PS-ja kërkoi që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në daljet e tij për mediat ka deklaruar se kjo është një vijueshmëri e Reformës në Drejtësi.

Balla ka ftuar herë pas here opozitën për të votuar sa më parë për ndryshimet kushtetuese që kishin të bënin me zgjatjen e afateve të organeve të Vetting-ut

Tashmë fjala e fundit i takon Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet të miratojë këto ndryshime me 84 vota pro.