Nëse në 30 qershor do të ketë dhunë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të fusin në listën e zezë çdo kënd prej autorëve të saj. Mathew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, iu përgjigj pyetjes së Zërit të Amerikës se, a do të futeshin, PD dhe LSI, në listën sanksioneve të SHBA-ve nëse do të kishte dhunë.
Kritikave të Presidentit Meta, se nuk kishte anuluar zgjedhjet në SHBA, por në Shqipëri, Palmer iu përgjigj: “Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë.”
Për SHBA-të, në 30 qershor në Shqipëri ka zgjedhje: “Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Protestat paqësore janë pjesë e qeverisjes demokratike.”
Palmer tha se pas 1 korrikut pret dialog mes palëve për reformën zgjedhore dhe mbështetjen e reformës në drejtësi si edhe krijimin sa më shpejtë të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur për përgjimet, Palmer kërkon hetime: “Këto janë akuza serioze që duhet të hetohen. Ne do të mbështesim një hetim nga institucionet dhe autoritetet shqiptare, një hetim që është profesional, transparent, që të çon drejt një përfundimi. Këto janë akuza shumë serioze, që kërkojnë hetime serioze.”