Kryediplomati i Bashkimit Europian Josep Borrell, ka paralajmëruar se Lindja e Mesme është në “prag të një lufte me përmasa të panjohura”. Përmes një postimi në Twitter, zyrtari i lartë i Brukselit tha se ka konsensus mbi nevojën për një armëpushim në Gaza për të “parandaluar një tjetër katastrofë.”
Borrell tha se të gjithë ata që pengojnë përpjekjet e “de-përshkallëzimit” do të mbahen përgjegjës. Tensionet janë rritur gjatë javës së fundit pas vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, për të cilin Irani ka fajësuar Izraelin dhe është zotuar për një hakmarrje “të ashpër”.
Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për atentatin.
Shumë vende, duke përfshirë SHBA-të dhe Britaninë e Madhe, u kanë thënë gjithashtu qytetarëve të tyre që të largohen nga Libani, nga ku dyshohet se Hezbollahu, një milici dhe lëvizje politike e mbështetur nga Irani, mund të luajë një rol në çdo përgjigje.