Aleanca me Sali Berishën, i ka mbyllur një derë Ilir Metës në arenën ndërkombëtare. Për shkak të koalicionit dhe partneritetit me Sali Berishën, një njeri i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe, ai është përjashtuar nga Kongresi i Partive Europiane Socialiste që pritet të mbahet në 14-15 tetor.
Report Tv ka siguruar e-malin që PES i ka dërguar Ilir Metës. Referuar përgjigjes, mund të kuptohet se ka qenë vetë Meta që ka kërkuar të jetë pjesë e këtij Kongresi, mirëpo, kjo nuk i është aprovuar. Atij i bëhet e qartë se pikërisht për këtë vendim të vështirë siç e kanë quajtur, është pikërisht aleanca politike, referuar këtu bashkëpunimit të tij me Berishën.
“I dashur Ilir,Faleminderit për interesin tuaj në Kongresin e PES, që do të mbahet në Berlin në 14-15 tetor. Gjithsesi, si rezultat i vendimit dhe aleancës suaj të fundit politike, ne ju kërkojmë që të mos merrni pjesë në Kongres. Kongresi i PES pret prezantime nga parti progresiste për të shpërndarë vizionin e tyre për politikat Europiane që janë të bazuara në vlerat tona thelbësore, demokracia, liria, barazia, paqja dhe drejtësia. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin. Ju luten kini parasysh që nuk ishte një vendim i lehtë”, thuhet në mesazh.
Ky refuzim ka ardhur vetëm 2 ditë pasi Ilir Meta ka zyrtarizuar koalicionin e tij me Sali Berishës që të futen në zgjedhjet vendore të 2023 me një kandidat të përbashkët dhe jo vetëm. Meta ka rënë dakord edhe për të njehsuar aksionin opozitar me ish-kryeministrin me qëllim për të rrëzuar qeverinë Rama.