Ndryshimet në qeveri nuk do të mbarojnë me dorëheqjen e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm.
Me sa duket kjo ëhstë arsyeja që qeveria po vonon njoftimin për largimin e Saimir Tahirit.
Burimet bëjnë të ditur se të gjithë ministrat e Partisë Socialiste që drejtojnë qarqet e vendit do të japin dorëheqjen për të shkuar në zona me qëllim që të organizojnë zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit.
Në 12 qarqe që ka Shqipëria, në 7 prej tyre Kryesia e PS-së ka zgjedhur ministra të kabinetit të Edi Ramës.
Kështu, pritet që deri të hënën të japin dorëheqjen ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili drejton PS-në në qarkun e Kukësit; Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, që drejton qarkun e Lezhës; Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që drejton qarkun e Shkodrës, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, që drejton qarkun e Dibrës; Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi, që drejton qarkun e Beratit; Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri, që drejton qarkun e Vlorës; Ministri i Pushtetit Vendor Bledi Çuçi, që drejton qarkun e Gjirokastrës.
Në qarqet e tjera, Partinë Socialiste e drejtojnë deputetë të rëndësishëm, përfshirë Saimir Tahirin, i cili tashmë do fokusohet në fushatën për qarkun e Tiranës.
Kjo është taktikë e kryeministrit Rama për të “ngritur duart” para kërkesës së protestës popullore që kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe “qeveri teknike” për zgjedhjet e reja. Pak nga pak do ta “zhdukë” qeverinë duke e dërguar në bazë.
“Nuk ka qeveri!”- pritet të thotë kryeministri.
/Veritas.com.al/