Nga Ardit Rada
Hipokrizia e opozitës me fatin tragjik të mësuesit Havzi Nela duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Fillimisht ishte Sali Berisha ai që me ardhjen e Edi Ramës në pushtet gjeti fijen pas së cilës mund të kapej për ta lidhur kryeministrin me ish-diktaturën. Këtij kori në PD iu bashkua edhe Ilir Meta pas 4 vitesh qeverisjeje me Ramën. Teksa “u kujtua” papritur për firmën e skulptorit Kristaq Rama në dekretin e Kuvendit që nuk ia falte jetën Nelës, Meta madje shkoi më tej duke e përvetësuar ditën e varjes së poetit dhe vendoste alarmin për të reaguar i pari çdo 10 gusht. Më pas shtetasi I.M doli bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, por kjo është histori tjetër.
Sot, 35 vite nga varja e poetit, hipokrizia thellohet edhe më tej. Rithemelimi ka vendosur ta përkujtojë Nelën me një aktivitet të posaçëm. Madje një deputet i Berishës çirrej dje se Havzi Nela edhe nga varri e tmerronte diktatorin, kur në fakt diktatori kishte vdekur 3 vite para Havziut, por nejse. Kjo është pjesa tragji-komike që veç opozita di ta stisë. Por sot me gjithë keqardhjen për vuajtjet e familjes Nela, pyetja e parë që shtrohet është: Përse nuk ndiqet i njëjti standard për ish të persekutuar me fate më tragjike dhe me role më aktive kundër diktaturës? Pra pse nuk del të qajë në ekran Sali Berisha edhe për Pjetër Arbnorin, Vilson Blloshmin, Genc Lekën, ish-klerikët e kështu me radhë?
Është e qartë se njeriu që indinjohet kur i përmendin vitin 1997, vetë kërkon të bëjë politikë me ish-diktaturën. Por ai harron se akuza e shkëputur nuk i bën nder as Havziut dhe as atij vetë. Sepse duket sikur qënka rrëzuar diktatura e Kristaq Ramës dhe jo ajo e instaluar prej Enver Hoxhës.
Shkresa e Presidiumit të Kuvendit Popullor është firmosur nga disa anëtarë të tij. Në krye është Ramiz Alia. Gjen aty pastaj Lumturi Rexhën që në disa inçizime të prag-pluralizmit del duke biseduar me Sali Berishën nën cilësinë e sekretarit të partisë tek Mjekësia. Dhe të tjerët janë që të gjithë ish-sekretarë partie rrethesh, kooperativash, ish-ministra e të tjerë ku më pak partiaku është Kristaq Rama, artist i popullit.
Në këtë 35 vjetor të varjes së mësuesit kuksian pyetja tjetër që “i mundon” të gjithë është: Po Sali Berisha çfarë bënte në 10 gusht të 1988 teksa Havzi Nela shkonte drejt litarit?