Partia Demokratike e Shqipërisë ka nënshkruar një kontratë lobimi me vlerë 6 milionë dollarë me kompaninë amerikane Continental Strategy, e cila drejtohet nga persona të afërt me ish-Presidentin Donald Trump. Kontrata, e firmosur më 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, dhe Carlos Trujillo, ish-këshilltar i Trump dhe themelues i kompanisë, parashikon një pagesë mujore prej 250 mijë dollarësh për dy vite.

Sipas marrëveshjes, kompania do të ndihmojë në krijimin e kontakteve me zyrtarë të qeverisë dhe Kongresit amerikan, do të promovojë kauza si lufta kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me interesat SHBA-Shqipëri, si dhe do të angazhohet në çështje strategjike ligjore në emër të PD-së dhe koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Garantuesi financiar i kontratës është Nuredin Seci, shqiptaro-amerikan nga Tropoja që jeton në New York.

Continental Strategy është themeluar në vitin 2021 nga Carlos Trujillo pas largimit të Trump nga presidenca dhe përfshin në radhët e saj individë të rëndësishëm të lidhur me fushatat republikane, si Alex Garcia dhe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles – ish-shefe e fushatës së Trump.

Lëvizja e PD-së shihet si një përpjekje për të forcuar lidhjet me administratën e ardhshme republikane dhe për të ndikuar në çështje të ndjeshme për partinë, përfshirë edhe statusin “non grata” të liderit historik, Sali Berisha. Ndër veprimet e para të firmës ishte një komunikim me shefin e stafit të senatorit Marco Rubio, një figurë kyçe në politikën e jashtme amerikane. (A2 Televizion)

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *