“Po eksportojmë destabilitet në Ballkan”, konkludojnë europarlamentarët/
Vendimi i liderëve të unionit për të shtyrë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e Këshillit Europian të 17 dhe 18 Tetorit shkaktoi reagime te forta këtë të martë në Parlamentin Europian. Presidenti në detyrë i Këshillit Europian, Donald Tusk e konsideroi vendimin, “një gabim”.
“Mendoj se ky ishte një gabim. Tani unë vetëm mund të shpresoj që të arrijnë në përfundimet e duhura kur të diskutojnë procesin e anëtarësimit para samitit të Zagrebit në Maj 2020.”
Ndërsa për kreun në detyrë të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, BE dështoi në mbajtjen e premtimit duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e saj.
“Jam shumë i zhgënjyer nga mungesa e vendimit të Këshillit të BE-së. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kishin të drejtën për të nisur negociatat. Është një gabim i qartë që Bashkimi Europian nuk i hapi negociatat për këto dy vende. Nëse nuk respekton premtimet që jep, askush nuk do të në respektojë nëpër botë.”
Edhe drejtuesja e grupit parlamentar socialdemokrat shprehu keqardhjen për mos-hapjen e negociatave.
“E konsideroj shumë të gabuar mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Natyrisht është një rrugë e gjatë me reforma, por vendimi do u jepte një dritë shprese të dy vendeve dhe do thotë stabilitet për rajonin edhe vetë BE-në”, tha Iratxe Garcia Perez, kryetare e grupit socialdemokrat në PE.“
Edhe më i ashpër ishte kreu i Partisë Popullore Europiane, Manfred Weber.
“Ndodhemi përpara dilemës nëse eksportojmë stabilitet në Ballkan apo importojmë destabilitet nga Ballkani në Europë. Dhe javën e kaluar pati një dështim të rëndë të Komisionit Europian në këtë çështje historike. Këto vende i kemi ngarkuar shumë. Sidomos Maqedoninë e Veriut që iu desh me shumë mundim të ndryshonte emrin shtetëror për të hapur negociatat. Kurse tani i mbyllim dyert. Kjo përbën një humbje të rëndë besimi.”
Weber bëri po ashtu përgjegjëse aleancën e liberalëve dhe demokratëve ku bëjnë pjesë Presidenti francez Macron dhe kryeministri holandez Mark Rute si frenuese të hapjes së negociatave.
VERITAS.COM.AL/