Policia ka shpallur në kërkim për Agim Hoxhajn, kreun e FRD për Tiranën dhe Afrim Sufajn, kreun e FRD në njësinë 6, të cilët kanë kundërshtuar policinë gjatë përplasjes së djeshme mes presidentit Ilir Meta dhe Sali Shehut, me Policinë Bashkiake, për zyrat e FRD-së.

Agim Hoxhajn kreu i FRD për Tiranën, i zgjedhur para disa ditësh dhe Afrim Sufaj kreu i FRD në njësinë 6 kanë hyrë në zyrat e FRD pas Metës dhe janë përfshirë në sherrin që degradoi në përplasje fizike. Ata shiheshin duke u konfrontuar me punonjësit e policisë, ndërsa i kanë hequr maskën zyrtarit të bashkisë.

NJOFTIM I POLICISE:

Më datë 13.03.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dhe punohet për kapjen e  shtetasve A. H., 55 vjeç dhe A. S., 46 vjeç, sepse më datë 12.03.2021, në rrugën “Abdi Toptani”,  kanë hyrë të paautorizuar në një godinë, duke kundërshtuar punonjësit që kryejnë një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të cilët kanë qenë në ruajtje të objektit. Punohet për kapjen e shoqërimin e tyre“, thotë policia.

Dje Meta është përplasur me Policinë Bashkiake, duke hyrë me forcë në zyrat e FRD-së. Kjo sepse sipas Metës, kërkesa e Bashkisë që FRD-ja të lirojë zyrat është me prapavijë politike. Meta përveçse është përballur fizikisht me policët dhe zyrtarin e Bashkisë, madje edhe i ka kërcënuar ato duke i thënë që “të largohen ose do i çojë në burg me duart e tij”. Report Tv solli dje video nga “përleshja” e Metës, i shoqëruar nga shefi i kabinetit të Presidencës, Edmond Panariti. Kreu i shtetit ka agrtavuar në një sjellje aspak të hijshme për një president për të mbrojtur zyrat e FRD-së, në një kohë kur vetë Sali Shehu përpiqej ta qetësonte.

Pas përplasjes ka reaguar edhe Partia Demokratike, e cila kryeson koalicionin opozitar ku bën pjesë edhe partia e Sali Shehut tashmë. PD tha se përdorimi i forcës policore kundër një partie është tregues se Rama është kundërshtar i lirisë.

Vetë Bashkia e Tiranës ka kërkuar që Fryma e Re Demokratike, të zbatojë ligjin për ‘partitë politike’. Sipas këtij ligji Bashkia e Tiranës ka detyrimin që t’i japë ambiente për zyra partive politike që kanë përfaqësim në Kuvend apo kanë në përbërje një ish-President.

Sipas nenit 22, pika b, të këtij ligji  “partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Këtë të drejtë e ka edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi”.Me ikjen e Bamir Topit FRD nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, pasi tashmë nuk ka as deputet dhe as Presidentin. Bashkia nuk ka më asnjë detyrim t’ ofrojë zyra.