Vlora ka pësuar dëme si pasojë e motit të keq, duke shkaktuar përmbytje në disa zona.
Ministria e Mbrojtjes njofton se strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme me qëllim për të riparuar të gjitha problematikat e shkaktuara nga reshjet me intensitet të lartë.
“Si pasojë e punës së bërë gjatë gjithë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata është përmirësuar. Aktualisht, puna e të gjitha strukturave: Bashkisë së Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtoria Vendore e Policisë, OSHEE, Prefekturës, është përqendruar në 4 kryqëzime ende të bllokuara në qytetin e Vlorës, i cili u prek më shumë nga situata e keqe e motit në 24 orët e fundit.
Në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse. Trupat në terren po punojnë për largimin e ujit në blloqet e banesave midis akseve të bllokuara: te Universiteti, rruga “Albano e Romina”, Dyqanet e reja, si dhe te Kisha Ortodokse. Prezencë uji ka dhe brenda xhamisë së qytetit”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Efektivët e FA po punojnë me dy pompa për largimin e ujit nga stacioni kryesor i pompimit, ku ende vazhdon të ketë prezencë uji.
Hidrovori i qytetit punon me kapacitet të plotë, duke bërë tërheqjen graduale të ujit. Është stakuar energjia elektrike në disa blloqe banesash të qytetit, kryesisht aty ku kabinat elektrike kanë prani uji.
Situata vazhdon të ndiqet në terren nga autoritetet vendore dhe Drejtori i Gatishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC.