Prej orës 05:00 të mëngjesit, fadromat e IKMT mbërritën në zonën e “Astirit” në kryeqytet për të shembur ndërtimet që t’i hapet rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Një numër i madh i forcave policore rrethuan zonën duke krijuar kordon sigurie nga sheshi “Shqiponja” në një distancë rreth 100 metra. Mes banorëve dhe protestuesve pati përplasje fizike.

Në drejtim të uniformave blu u hodhën gurë e sende të forta, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotësjellës. Disa banorë e policë mbetën të lënduar dhe janë dërguar në spital.

Ndërsa një numër i konsiderueshëm i banorëve janë shoqëruar në komisariat.

Në zonën e “Astirit” ka shkuar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, i cili ka ndjekur vazhdimisht nga afër protestat e këtyre banorëve.

Nga ana tjetër, fadromat vijojnë shembjen e ndërtesave që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

Protestat e banorëve të zonës së Astirit vijojnë prej 1 viti.

Veritas.com.al/