Frrok Çupi/
E dini se BE na tregon përralla?… Mos u zgjo trembshëm kur të dëgjosh fjalën ‘përrallë’. Sepse ti mund të trembesh, në qoftë se je i ‘racës’ që nuk e pranon të vërtetën për shefin. Tani, për kategorinë e ‘vartësve’ të verbër, në vend të diktatorit komunist, për shembull, si shef ka hyrë BE. Më së shumti nuk pranojnë të meta të BE ata që kanë qenë me diktatorin. ‘Të verbrit’ betohen se BE nuk ka asnjë të metë…
Në fakt nuk ka të meta. A ka të meta një ‘nurse’ e kopshtit që tregon përralla për fëmijët?! … BE sot, për herë të fundit, na dërgoi një ‘nurse’ dhe na tregoi përrallën se sapo të mbarojmë festën e vitit të ri, fap!, do të hapim negociatat për në BE. Reporteri gjerman Fleckenstein tha sot në Tiranë se “negociatat me Shqipërinë çelen në gjysmën e parë të vitit që vjen”.
Teknologjia e përrallës për popujt aspirantë të vegjël, siç janë këta të Ballkanit Perëndimor, ka tre elementë kryesorë: disa janë për në gjumë; disa janë për të të rrahur nëse nuk fle; disa janë për të të futur në konflikt me fqinjët ose për të nxitur konfliktin përbrenda.
Të gjithë elementët përbëjnë përrallën
1.
Elementi i parë, ‘mos lë të ftohet’ demagogjia e herës së kaluar.
Cila ishte demagogjia, ose ‘gënjeshtra’? Në fillim të gushtit, kur temperaturat ishin në 40 gradë Celsius, një lajmëtar nga BE sugjeroi që liderët e Ballkanit të mblidhen në Durrës, ‘ashtu si kot’ sa për t’u parë me njëri-tjetrin. Por aty, prapë ‘ashtu si kot’ zbarkoi Johannes Hahn i BE, i cili është bërë si guvernator i Ballkanit vitet e fundit. Ai erdhi dhe foli, por jo ‘ashtu si kot’. Zoti Hahn dha një lajm të prerë dhe me një gjuhë të ashpër. ‘Mos prisni për integrimin në BE- tha- se nuk është koha tani. Shikoni bashkëpunimin në Ballkan’. Edhe në maj, në Samitin e Triestes, të organizuar nga BE, u tha kaq prerazi: “BE nuk ka zgjerim. Ballkani Perëndimor do të bashkohet në Tregun e Përbashkët Ballkanik”, jo në BE-, ide që u interpretua si një ‘Jugosllavi e re’. Por është thënë shumë prerë se nuk ka zgjerim të BE me Shqipërinë dhe vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor…
Sot, në 19 shtator, erdhi zoti gjerman Fleckenstein dhe solli lajmin se ‘në gjysmen e vitit që vjen do të fillojnë negociatat’. Mu dukse tha: “Haj tani, flini të qetë, bëni edhe vitin e ri, pastaj shohim e bëjmë”.
2.
Elementi i dytë: Për të të ‘rrahur’ nëse nuk fle.
Vetëm po të ndjekësh deklaratat e burokratëve të BE, për të njëjtën çështje (Integrimi, negociatat), të krijohet pamja reale e nursës që sapo ‘i qajnë fëmijët’ iu vjen me një përrallë të re. (Dmth gënjeshtër). Nëpunësit e BE janë njësoj si të tjerët që nuk iu skuqet fytyra edhe kur gënjejnë me dashje. Ja t’u tregoj, në dinamikën e tyre, disa ‘përralla’ të faktuara:
Më 9 Nëntor 2016, Johannes Hahn deklaron: ‘KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë…” Më 29 qershor 2017- po Fleckenstein, për Radion gjermane DW: “Hapja e negociatave Shqipëri-BE brenda 2017-ës”. Bash ky Fleckenshtein ishte sot që tha ‘Aaa!, jo tani kalamaja, por në fillim të vitit 2018’.
Më 9 Nëntor 2016, Komisioni Europian shpall se ‘Shqipëria është gati për anëtarësim’. Komisioneri për Zgjerim, Hahn, mbajti një konferencë dhe tha se “në rreth 90% është bërë progres’, dhe se negociatat janë gati…
Kurrë nuk u bënë. BE përdor teknologjinë që sapo ‘zgjohesh’ të thotë ‘t’i jap negociatat’. Sapo të zë gjumi- të zgjon: ‘Jo, nuk ka!’. Sapo u mbyllën rrugët në gusht (Durrës) erdhi sot zoti Fleckenstein dhe ‘i hapi’. Pastaj do të mbyllen prapë… Çfarë është e deklaruar është se BE nuk është i gatshëm për zgjerim. BE ndodhet në krizën e vet dhe e ka mbyllur kapitullin e zgjerimit. Tjetër gjë është përralla.
3.
Disa përralla tregohen me qëllim që t’i shërbejnë politikës së brendshme; grindjeve ose jo grindjeve këtu. Në shumicën e deklaratave (merrini e lexoni) burokratët e BE thonë se ‘do të hapim negociata…, në qoftë se” … kështu e ashtu… Atëherë këtu plas grindja ose mburrja e palëve: Pse u bë?.. Pse s’u bë?…”.
Disa përralla tregohen me qëllim që të krijohen ‘diferenca’ mes kombeve të rajonit.
… Dhe pastaj ne të grindemi: “E shikoni si na e kaluan serbët- armiqtë tanë…”
Në 14 Shtator 2017, vetë presidenti i Komisionit Europian ka deklaruar nga Strasburgu se i ka nisur një ‘letër vëmendjeje’ (dmth., urgjence) Presidentit të Parlamentit Europian se Komisioni Europian ka planifikuar që ‘të krijojë një strategji për arritjet e suksesshme të Serbisë dhe Malit të Zi, me qëllim që të bëhen anëtare të BE nga fundi i vitit 2018”.
Më parë ka pasur një vendim tjetër të presidentit të KE, ku thotë se do të ketë përpjekje për pranimin e Ballkanit Perëndimor, ‘por jo të Turqisë’…
Pse krijohen këto ‘hendeqe’ mes kombeve të të njëjtit rajon, që në fakt edhe sukseset edhe dështimet i kanë ‘në të njëjtën kulturë”?
Por kulmi është se të gjitha çfarë u thanë, janë një “përrallë” totalisht. BE nuk është gati as për negociata, as për zgjerim. Që më 15 qershor 2014, ora 17.11, vetë presidenti i Komisionit Eropian, Jeane- Claude Junker, ka deklaruar: “Nuk do të ketë zgjerim, të paktën edhe për pesë vjet që vijnë” (Që do të thotë viti 2019- të paktën. Ku e gjeti sot zoti Fleckenstein ‘fillimin e vitit 2018’?)
Po këtë ditë, zoti Jeane- Claude Junker deklaron, fjalë për fjalë: “BE ka nevojë të bëjë një pushim për procesin e zgjerimit; kështu që ne na duhet të konsolidojmë çfarë kemi bërë me 28 shtetet anëtare”.
Po ‘përrallat’ që na thanë deri tani?… Apo edhe kjo e fundit është një përrallë?