Dy godina të mbetura nga hoteli “Prestige Resort” do të konfiskohen dhe do t’i kalojnë për përdorim për çështje sociale Shërbimit Social Shtetëror.

Policia së bashku me përfaqësues të këtij institucioni kanë zbarkuar sot në këto ambiente për të zbatuar vendimin.

Përfaqësuesit ligjor të pronarit të “Prestige Resort” thonë se ky është një veprim i paligjshëm, pasi nuk ka asnjë vendim gjykate për konfiskimin e godinave.

Kujtojmë se në muajin dhjetor, një godinë e ‘Prestige Resort’ u shemb me tritol. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me forcat e Policisë së Shtetit dhe forcat xheniere, shembi me shpërthim të kontrolluar Prestige Resort, godinën 7 katëshe në vijën bregdetare të Kavajës në pronësi të pronarit të News 24, Irfan Hysenbelliu.

Shembja e “Prestige Resort” përmendet dhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin e kaluar.

“Më 4 dhjetor, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit prishi një hotel duke përmendur shkelje të rënda të ligjeve të ndërtimit. Në datën 1 dhjetor, kompania e ndërtimit të resortit kishte depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Durrësit, duke kërkuar një vendim në pritje të shqyrtimit ligjor të urdhrit të prishjes së IKMT.

Gjykata nuk caktoi menjëherë gjyqtarin dhe IKMT vazhdoi me shembjen. Pronari i hotelit, i cili gjithashtu zotëron disa media dhe biznese të tjera, pretendoi se hoteli i tij u shkatërrua për të mbytur kritikat dhe mospajtimet. Qeveria pohoi se veproi në përputhje me ligjet në fuqi dhe se kjo prishje ishte pjesë e një fushate më të gjerë për të çrrënjosur ndërtimet e paligjshme në vend”, thuhet në raport e DASH.