Pas propozimit të kryeministrit për ribërjen e qeverisë me katër ministra, ka plasur vala e dhimbshme e dëshmive nga periudha e diktaturës komuniste. Ministri që është caktuar si “i Punëve të Brendshme”, Fatmir Xhafa, sipas dëshmive ka ushtruar dhunë mbi viktimat e diktaturës komuniste. Madje, duke shërbyer si hetues i të dënuarve politik, ai ka kapërcyer edhe ligjin e kohës, i cili “gia” ishte ligji më i egër mes të gjitha diktaturave.

Dëshmia e parë:

Valbona Duka, një nga viktimat e komunizmit, dëshmoi që nga Gjermania ku po jeton pas viteve ’90. “Fatmir Xhafa më ka torturuar, jam e gatshme te dëshmoj kundër tij”, tha ajo.

Përmes një lidhje telefonike nga Gjermania, Valbona Duka ka denoncuar Fatmir Xhafën dhe Kujtim Lulin për dhunë në kohën kur ai ishte hetues në rrethin e Krujës.

Zonja Duka tregoi se Fatmir Xhafa ka qenë hetuesi i vëllait të saj dhe në kohën kur iu internua familja, zonjës i vdiq i ati në internim, por pas 3-4 ditësh i erdhën tek puna në Zahari dhe e morën për t’a dërguar në polici.

Ajo tregon se Xhafa dhe Kujtim Luli e futën në zyrë dhe e rrahën fort, ndërsa i thonin se “vëllai yt na ka thënë se ti doje të arratiseshe bashkë me të”.

Duka theksoi se është e gatshme t’i dalë përballë Xhafës për t’i treguar torturat që ka pësuar nga ai, pasi është ajo që i ka provuar mbi kurriz.

Sipas Valbona Dukës, i vëllai akuzohej se kishte pirë raki bashkë me disa shokë në kohën kur vdiq Enver Hoxha.

Dëshmia e dytë:

Ish-i burgosuri Xhavit Koni deklaron se deputeti Xhafaj në vitin ’86 ka qenë hetues në Krujë dhe ka ushtruar dhunë ndaj personave të ndaluar në dhomat e izolimit.

“Në korrik të vitit 1986 unë isha  në hetuesinë e Krujës, i akuzuar për një krim…Në dhomat e izolimit të hetuesisë unë kam qenë me Arben Dukën. Më pas kalova në një dhomë vetëm dhe pastaj në një dhomë me Adem Sulën. Fatmir Xhafaj ishte hetues i këtyre të dyve” thotë Xhaviti.

“Kam qenë 16 vjeç atëherë- vazhdon dëshminë… Siç po thoja në dhomat e paraburgimit kam bërë 4 muaj hetuesi, me të ndjerin Arben Duka dhe Adem Sulën nga Kruja. Këta të dy qenë akuzuar se kishin festuar për vdekjen e Enver Hoxhës dhe kishin qenë bashkë në një grup. Në atë kohë, Fatmir Xhafa edhe pse nuk ishte hetuesi im, më ka thirrur, se donte që dilja e të dëshmoja që Arbenin dhe Ademi ishin kundër sistemit.

Në fillim më futi në zyrë dhe polici më hoqi prangat që kisha në duar. “Më trego çfarë muhabeti ke bërë me Arben Dukën dhe Adem Sulën”, më ka thënë.

Pasi e pa që me të mira nuk mundi të nxirrte gjë, ka thirru policin që ishte jashtë, më ka lidhur prangat gjermane me duar prapa, ndërsa këmbët m’i ka lidhur me zinxhirë pas karriges. Prangat m’i shtrënguan aq fort sa edhe sot e kësaj dite i kam shenjat në duar. Polici doli, ndërsa Fatmir Xhafaj më ka rrahur me grushte e shkelma aq fort, sa më ka plasur gjaku dhe për 4 ditë, nuk kam mundur të ngrihem dot nga dërrasat e dhomës së izolimit. Më kujtohet që kam derdhur  aq shumë gjak, sa me një fije shkrepëse i kam shkruar një letër babës, duke përdorur gjakun si bojë. “Mu po më mysin këtu, lëviz kërko diçka”, i shkrova”.

Për pak ditë emri i Fatmir Xhafës, si i propozuar i kryeministrit për Ministër të brendshëm do të jetë në tryezën e Presidentit të republikës për të marrë dekretimin. A do të dekretojë Presidenti?

Kjo është pyetja që po bëhet rëndom, pasi xhelatët e diktaturës komuniste i kanë kapërcyer të gjithë hallkat e ligjit dhe të shoqërisë dhe tani ndodhen në majë të pushtetit.

Kryetari i PD, Basha, sot që nga Çadra e protestës tha se “Xhafa bëhet ministër vetëm kur të kalojë mbi trupat tanë”.

/Veritas.com.al/